Turneu
Vendimi mori edhe miratimin e UEFA-s, që do të riprogramojë datat e Ligës së Kampioneve
Finalja e Botërorit 2022 që do të luhet në Katar, do të zhvillohet më datë 18 dhjetor. Ky është vendimi i marrë dje nga Komiteti Ekzekutiv i FIFA-s, që i ka dhënë fund të gjitha dilemave për aktivitetin në fjalë, duke zgjedhur ta mbyllë atë një javë para Krishtlindjeve.
FIFA vendosi të kalonte Botërorin në dimër, për të shmangur temperaturat shumë të larta të verës në Katar, ndërsa pranoi të shkurtonte kohëzgjatjen e turneut në 28 ditë, nga 32 të tilla që është zakonisht. Sipas planit të ndërtuar nga grupi i punës i krijuar për këtë çështje, aktiviteti do të fillojë më 21 nëntor dhe do të mbyllet më 18 dhjetor, që “rastësisht” është edhe festa kombëtare e Katarit. UEFA kishte insistuar fillimisht që finalja e aktivitetit të zhvillohej më 23 dhjetor, por më pas ra dakord për këtë datë të re. Megjithatë, Platini ka insistuar që FIFA të rishikonte kalendarin ndërkombëtar, për të zëvendësuar 4 datat e ndeshjeve të tetorit dhe nëntorit të atij viti që teorikisht do të shërbenin për eliminatoret e Euro 2024.
“Data 18 dhjetor është e mirë për finalen, ndoshta 23 dhjetori që kërkonim ne do të ishte shumë vonë nëse mendohet të kthehen të gjithë tifozët në shtëpi në kohë për Krishtlindjet. Me këtë datë, edhe ne mund të rishikojmë datat dhe të bëjmë ndryshimet për Ligën e Kampioneve”, deklaroi presidenti i UEFA-s. “Megjithatë, FIFA duhet të mbrojë katër datat e ndeshjeve zyrtare që mund të ndikohen, pasi Federatat jetojnë falë ndeshjeve të kombëtares”.
Megjithatë, për momentin e sigurt është vetëm data e finales, pasi strukturimi i fazës finale të Botërorit dhe kalendari ndërkombëtar është ende për t’u përcaktuar, siç e shpjegoi zëdhënësi i FIFA-s, Valter De Gregorio. “Komiteti Ekzekutiv vendosi të miratonte propozimin e grupit të punës që ideoi zhvillimin e Botërorit në muajt nëntor-dhjetor, me finalen e caktuar më 18 dhjetor. Duke u bazuar mbi propozimin e këtij grupi pune, do të mundohemi të luajmë aktivitetin në vetëm 28 ditë. Ky është vendimi parimor, pasi tashmë duhet të studiojmë kalendarin ndërkombëtar për ta vënë në zbatim. Ky është një hap i rëndësishëm për ne, pasi më në fund dimë se kur do të përfundojë turneu. Do të jetë ditë e diel dhe rastisi gjithashtu që është festa kombëtare e Katarit, na përshtatej në mënyrë perfekte. Kështu njerëzit do të kenë të gjithë mundësinë të kthehen në kohë në shtëpi për të blerë dhuratat e Krishtlindjeve”, tha ai.