FIFA ka mohuar se është marrë një vendim për stadiumin që do të presë finalen e Botërorit 2030, pas deklaratave të presidentit të Federatës Mbretërore Marokene të Futbollit, Fouzi Lekjaa.

Zyrtari maroken deklaroi se finalja e Kupës së Botës do të zhvillohet në stadiumin e ri Hassan II në Kazablanka, impiant që aktualisht është në ndërtim. Por FIFA ka reaguar duke sqaruar se asnjë vendim përfundimtar nuk është marrë ende dhe se organizata do ta përcaktojë në kohën e duhur. Sipas gazetës spanjolle Marca, një zëdhënës i FIFA-s ka përsëritur qëndrimin e institucionit, duke hedhur poshtë pretendimin se finalja i është premtuar Marokut.

Deklaratat e Lekjaa kanë marrë një tjetër dimension edhe për shkak të kontekstit politik. Ai i bëri komentet gjatë një tubimi politik të enjten, në kuadër të një fushate zgjedhore. Ndërkohë, kjo është hera e dytë brenda pak javësh që FIFA detyrohet të mohojë pretendimet se Maroku do të presë finalen e Botërorit. Një muaj më parë, The Times raportoi se presidenti i FIFA-s, Gianni Infantino, i kishte ofruar Marokut mundësinë për të organizuar finalen në këmbim të mbështetjes politike. FIFA e mohoi edhe atëherë këtë pretendim.

Botërori 2030 do të organizohet nga Maroku, Spanja dhe Portugalia, ndërsa ndeshjet e para të turneut do të zhvillohen në Uruguai, Argjentinë dhe Paraguai, në kuadër të 100-vjetorit të Kupës së Botës. Pavarësisht deklaratave nga pala marokene, FIFA ende nuk ka përcaktuar zyrtarisht stadiumin e finales. Gara dhe diskutimet për impiantin që do të presë ndeshjen më të rëndësishme të turneut mbeten të hapura. /Top Channel/