Alarmi
Shefi i Sigurisë në FIFA konfirmon: Katër vite më parë ndeshjet u shitën
FIFA do të monitorojë me vëmendje të gjitha ndeshjet përgatitore para Botërorit 2014 dhe sigurisht edhe aktivitetin, pasi ekzistojnë dyshime të mëdha për tentativa manipulimesh. Alarmin e ka dhënë në një intervistë për BBC vetë shefi i Sigurisë së FIFA-s, Ralf Mutshke, i cili ka bërë të qartë se herë pas here ka tentativa për manipulimin edhe të këtyre ndeshjeve që ndiqen nga miliona spektatorë në të gjithë globin.
Mutshke sqaroi se disa skuadra apo grupe të Botërorit identifikohen si të “rrezikshmërisë së lartë” dhe shqetësimet më të mëdha kanë të bëjnë me ndeshjet e fundit në grup, të cilat përfshijnë skuadra të cilat nuk luajnë për asnjë objektiv. Gjithashtu, ai ka pohuar se rrezikshmëri të lartë manipulimi kanë ndeshjet përgatitore, ndërsa ekzistojnë që tani kontakte mes atyre që tentojnë të manipulojnë ndeshjet dhe lojtarëve apo gjyqtarëve. Ish-zyrtari i Interpolit ka bërë të qartë se manipulimet e pritshme nuk kanë të bëjnë me fitoren apo humbjen, por kryesisht me një numër të caktuar golash gjatë një ndeshjeje.
“Nuk presim që manipuluesit të udhëtojnë në Brazil dhe të trokasin në dyert e hotelit të lojtarëve dhe gjyqtarëve, por e dimë se ka pasur kontakte mes palëve”, tha ai për BBC. “Nuk mund t’ju tregoj se cilat janë këto skuadra që po monitorojmë më shumë, apo grupet. Por mund të them se grupi i Anglisë nuk cilësohet mes atyre me rrezikshmëri të lartë. Ne e dimë se ndeshjet përgatitore u manipuluan në Kupën e Botës të kaluar, ndaj kjo është një informatë shumë e rëndësishme që na ndihmon të parandalojmë ngjarje të njëjta”.
Sipas tij, tentativat për manipulim do të bëhen për të ndikuar në handikapin aziatik apo numrin e golave në një sfidë, pasi pritet që 99% e basteve që vendosen në Azi, të kenë si temë kryesore këto dy tregje bastesh. “Përfundimi i ndeshjes ekziston gjithmonë si mundësi manipulimi, por është më i vështirë për t’u organizuar, pasi të duhet bashkëpunimi i një numri të madh futbollistësh. Për dy tregjet e mësipërme të nevojitet vetëm gjyqtari apo 1-2 lojtarë. Tentativat ekzistojnë. Kam pasur raportime se persona të caktuar u janë afruar lojtarëve duke u ofruar 20 mijë dollarë në dorë. Më parë duhej kohë për të organizuar një gjë të tillë, ndërsa tani, manipuluesit shfaqen menjëherë. Ata i propozojnë marrëveshjen një gjyqtari apo lojtari, duke i ofruar para në dorë. Nëse nuk ia dalin mbanë, i afrohen të dytit e kështu me radhë. Janë bërë më guximtarë”, tha ai.
Sipas parashikimeve të bëra nga specialistët e FIFA-s, rreziku i manipulimeve në Kupën e Botës mbetet i vogël, por gjithsesi, ata paralajmërojnë se krimi i organizuar do të bëjë tentativat e veta. Shkak është përllogaritja se për çdo ndeshje të Kupës së Botës, në tregjet aziatike do të vihen mesatarisht 1 miliard dollarë baste.