Sekretari i përgjithshëm akuzohet se ka përfituar nga shitja e biletave të Kupës së Botës në treg të zi


Valcke_1Hetimet ndaj FIFA-s kanë shënjestruar një tjetër zyrtar “luksi”. Pak ditë nga deklaratat e ministres së Drejtësisë së SHBA-së, Loretta Lynch, mbi hetimet që majin e shkuar sollën arrestimin e shtatë drejtuesve (parashikojmë të marrin nën hetim persona të tjerë të inkriminuar), Federata Ndërkombëtare e Futbollit ka njoftuar që sekretari i përgjithshëm, Zherom Valcke, është pezulluar nga funksionet e tij me efekt të menjëhershëm deri në një vendim të dytë. Sipas shtypit, Valcke ka përfituar nga shitja në treg të zi të biletave të Kupës së Botës, akuza të cilat ai i ka refuzuar publikisht. “FIFA u vu në dijeni të disa akuzave, që kanë si protagonist Zherom Valcke dhe në këto kushte i ka kërkuar Komisionit të Etikës të nisë një hetim në lidhje me sekretarin e përgjithshëm, i cili do të jetë i pezulluar, derisa të merret një vendim përfundimtar”, lexohej në komunikatën për shtyp të nxjerrë nga organi drejtues i futbollit botëror. Sipas gazetës britanike “Guardian”, Valcke ka përfituar në mënyrë të paligjshme nga një shitje biletash me çmim të fryrë për botërorin, shumë më të larta në krahasim me vlerën e tyre të vërtetë, akuza që vetë ai i mohon. Valcke kishte lënë të kuptohet korrikun e shkuar se kërkonte të dorëhiqej para se të zgjidhej presidenti i ri i FIFA-s më 26 shkurt 2016. Valcke ka qenë krahu i djathtë i presidentit të FIFA-s, Sepp Blatter, që nga viti 2007. Ai e nisi karrierën si gazetar sportiv te “Canal +” në vitin 1984 dhe u bë drejtor i këtij televizioni në vitin 1991. Në vitin 2003 u emërua drejtor i marketingut dhe i të drejtës televizive te FIFA. Në vitin 2006 u largua nga kjo detyrë pas “luftës” mes “Mastercard” dhe “Visa”. Një vit më vonë, francezi u mor në punë nga Blater si sekretar i përgjithshëm i FIFA-s. Në vitin 2011, emri i tij u përmend nga Xhek Uarner, si njeriu që ndikoi radikalisht në korrupsionin që e çoi Kupën e Botës 2022 në Katar. Në qershor të këtij viti, Valcke mohoi edhe akuzat e reja për përvetësimin e 10 milionë eurove, nga ai dhe drejtues të tjerë të FIFA-s, gjatë Kupës së Botës 2010 në Afrikën e Jugut.