Një gjykatë në Austri ka dënuar me shtatë muaj burg dhe një gjobë prej 1,200 eurosh një person të shpallur fajtor për filmime dhe fotografi të fshehta në ambientet e zhveshjes, palestrës dhe dusheve të ekipit të futbollit për femra të SCR Altach.
I dënuari është urdhëruar gjithashtu të paguajë 625 euro dëmshpërblim për secilën viktimë. Sipas prokurorisë, rreth 30 lojtare janë identifikuar në materialet e sekuestruara.
Eleni Rittmann, e cila aktualisht aktivizohet me Thonon Évian Grand Genève FC në Francë dhe më parë ka luajtur për Altach, reagoi publikisht duke e cilësuar dënimin të papërshtatshëm. Në një postim në Instagram, ajo theksoi se autori ishte një arbitër i nivelit të lartë në Zvicër dhe zyrtar i klubit, duke shtuar se disa prej lojtareve ishin të mitura në kohën e ngjarjes.
Rittmann ngriti shqetësimin nëse një dënim i tillë shërben si paralajmërim i mjaftueshëm, duke theksuar se ngjarja ka cenuar rëndë ndjenjën e sigurisë dhe privatësisë së lojtareve.
I dënuari kishte punuar për klubin nga viti 2020 deri në 2025. Sipas raportimeve, prokurori ka kërkuar kohë shtesë për të shqyrtuar mundësinë e apelimit të vendimit.
