Asnjë revolucion dhe, mbi të gjitha, asnjë nxitim. Kjo është filozofia me të cilën po vepron Milani i ri i ndërtuar nga drejtori sportiv Igli Tare dhe trajneri Masimiliano Alegri. Lëvizjet në merkato po bëhen me hapa të vegjël dhe të matur, me synimin e qartë për të ndërtuar një skuadër konkurruese pa devijuar nga parametrat ekonomikë të klubit. Prioriteti i momentit quhet Ardon Jashari, mesfushori i talentuar i Bryzhit.

Kuqezinjtë janë në pritje të “po”-së përfundimtare nga klubi belg. Oferta prej 33 milionë eurosh plus 5 milionë bonuse është prezantuar dhe nuk do të ndryshohet. Nuk ka një afat të prerë për këtë propozim, por Milani është i vendosur të mos shkojë më lart.

Jashari do të ishte blerja e dytë e vërtetë e epokës Tare, pas afrimit të Modriç, ndërkohë që dëshira fillestare për të kompletuar mesfushën me përvojën e Granit Xhakës mbeti e parealizuar. Në vend të tij, në skuadër u bashkua Samuele Riçi, një operacion i nisur para ardhjes së Tares dhe i finalizuar në kohë rekord.

MBROJTJA

Pas përfundimit të çështjes “Jashari”, fokusi do të zhvendoset te repartet e krahut në mbrojtje. Emri që pëlqehet më shumë, është Doue, një profil i ri dhe premtues. Megjithatë, shpenzimet për këtë pozicion pritet të jenë të moderuara.

SITUATA E MORATËS

Në drejtim të largimeve, vazhdon të zvarritet çështja e Alvaro Moratës, që po negociohet me Komon për një transferim të plotë. Gallatasaraj është i gatshëm ta lirojë sulmuesin spanjoll, por vetëm pasi të ketë siguruar një zëvendësues. Gjithçka lidhet ngushtë me transferimin e Viktor Osimhenit, i cili është aktualisht në qendër të një telenovele merkatoje.

Sulmuesi nigerian ka rënë dakord për t’u transferuar në Stamboll, por Napoli nuk lëviz nga klauzola prej 75 milionë eurosh.