Hejnkes: Kam më shumë eksperiencë. Klop: S’ka rëndësi kush është më i fortë, por kush fiton
Pak orë përpara se projektorët e “Uemblit” të ndizen për të ndriçuar të parën finale gjermane të Champions League, dy trajnerët kanë nisur luftën përpara kamerave. Jup Hejnkes (Jupp Heynckes) dhe Jurgen Klop (Jurgen Klopp) janë shfaqur të tensionuar dhe kanë lëshuar sinjale provokuese ndaj njëri-tjetrit në konferencat e shtypit që dhanë dje në Londër.
Hejnkes, i ftohtë
Këtë herë nuk u bë pre e emocioneve siç i ndodhi gjatë duartrokitjeve për ndeshjen e tij të fundit të Bundesligës me Bajernin. Këtë herë asnjë lot në konferencën e shtypit për Jup Hejnkes.
“Nuk është ndeshja më e rëndësishme e karrierës sime. Kam fituar një Champions League si trajner, ndërsa si futbollist kam fituar një Botëror dhe një Europian. Është një ndeshje që vlen shumë edhe për një si unë. Për më tepër vlen për qytetin prej nga vijmë dhe për futbollistët që kanë punuar shumë dhe duan të hedhin pas zhgënjimin e vitit të kaluar. Penalltitë? Sigurisht i kemi provuar, por është e pamundur që të simulosh në stërvitje penalltitë e një ndeshjeje kaq të madhe.”
Filip Lahm dhe Tomas Myler, që shpresojnë t’i bëjnë një dhuratë Mynihut, janë përkrah trajnerit të tyre, duke kërkuar të largojnë kujtimet e këqija dhe Hejnkes di t’u japë besim.
“Do të fitojmë! Në finalen e sezonit të kaluar luanim absolutisht futbollin më të mirë. Mënyra me të cilën humbëm finalen në “Alianz Arena” do të thotë se perënditë e futbollit janë borxhlinj ndaj nesh. Çfarë më bën të ndryshëm nga Klop? Mosha, e si rrjedhojë dhe ca eksperiencë më shumë.”
Klop beson
Trajneri i Borusias së Dortmundit është i ndërgjegjshëm për superioritetin e Bajernit të Mynihut dhe për vështirësitë e të tijve për të arritur në finalen e Champions. Tani duhet edhe sforcoja e fundit, e kushtëzuar ndoshta dhe nga fati i mirë.
“Nuk do të jetë si finalja e vitit 1997 e fituar nga Borusia kundër Juventusit, por jemi këtu të qartë dhe të bindur se mund të fitojmë. Do të duhet fat, por duam të vazhdojmë në këtë rrugë. Nuk mendoj se gjëja më e rëndësishme është se cila është skuadra më e fortë. Kjo është ndeshja që mund të fitohet me vendimin e duhur në momentin e duhur. Rastet e vogla mund ta vendosin ndeshjen.”
Jurgen Klop e di që ka në dorë kartat e duhura për të fituar ndeshjen, dhe armë të fortë të tijën edhe këtë herë ka atë të motivimit për grupin e djemve që ka në dispozicion, me ta do të arrijë majat më të larta.
“Ka nga ata që kanë provuar të ngjisin Everestin dhe u është dashur të kthehen kur ishin dhjetë metra larg majës, por të paktën e kanë provuar dhe ne deri më tani e kemi provuar dhe kemi vetëm këtë rast për ta bërë. Nesër do të na duhet të japim gjithçka, përndryshe nuk do të kemi as mundësitë minimale për t’ia dalë.”
Në fund Klop bën një tjetër tentativë për të rritur presionin ndaj kundërshtarit. “Në “Uembli” do të sfidohen dy skuadra të mëdha. Nuk e di nëse kjo do të jetë finalja ime e vetme, por me siguri që është vendi perfekt për të luajtur kundër kundërshtarit perfekt”.