Fitojnë rivalët për zonën e Europës. Kukësi ruan vendin e dytë, bie Luftëtari


Altin Manallari


Skenderbeu Flamurtari 1-0Edhe pse titulli është në kasafortën e Skënderbeut, korçarët do të jenë të detyruar të shtyjnë festën, pasi humbja e djeshme në Vlorë u ka prishur planet për të hapur shampanjën për titullin e katërt radhazi. Fitojnë edhe Teuta e Kukësi, që ruajnë pozicionet në renditje, duke lënë sërish të hapur luftën për zonën e Europës.


Ka qenë një gol i shpejtë ai që ka vendosur supersfidën e javës së 23-të mes dy rivalëve më të urryer të edicioneve të fundit, Flamurtari-Skënderbeu, e luajtur në Vlorë dhe që është mbyllur me fitoren 1-0 të vendasve. Që në minutën e katërt, Migen Memelli shënoi në portën e kampionëve në fuqi të vendit. Në fakt kjo ishte përballja më e qetë mes këtyre dy skuadrave në katër sezonet e fundit, pasi në tre të parat, ishin rivalë direkt për titull, ndërsa tani, korçarëve u duhet vetëm një pikë për të festuar titullin, ndërsa vlonjatët janë në luftë për një vend që të çon në Europa League. Vendasit ishin më të motivuar dhe më kërkues, përballë një Skënderbeu që vuajti mungesat e Radas, Shkëmbit dhe Pejiç. As këtë herë, skuadra e Mirel Josës nuk arriti të thyente tabunë në Vlorë, ku nuk fiton që prej 17 tetorit të vitit 1976. Bilanci që atëherë e deri tani është 27 ndeshje të luajtura në këtë qytet: 22 fitore për Flamurtarin dhe vetëm 5 barazime. Kukësi nuk gaboi as në Kavajë, ku mundi me rezultatin 2-0 vendasit e Besës dhe ruajti vendin e dytë në klasifikim. Miqtë ishin më kërkues dhe vetëm tri minuta pas fillimit të pjesës së dytë arritën në zhbllokonin rezultatin me një gol të bukur të Prognit. Në minutën e 70-të, një penallti e ekzekutuar saktë nga Allmuça vulosi fitoren e kuksianëve, të cilët duken më të favorizuar për të ruajtur deri në fund vendin e dytë, pasi do të luajnë dy ndeshje në shtëpi kundër Flamurtarit dhe Skënderbeut dhe një në transfertë ndaj Kastriotit (pa objektiva, pas sigurimit të mbijetesës) në Krujë. Gjithsesi kjo javë mban të pandryshuar klasifikimin e pretendentëve kryesorë për zonën e Europës, pasi edhe Teuta në Durrës mundi 2-1 Apoloninë. Durrsakët e kanë mbyllur pjesën e parë në dizavantazhin 1-0, falë asaj penalltie të shkaktuar nga mbrojtja vendase dhe e kthyer në gol nga Andi Ribaj, ndërsa me fillimin e pjesës së dytë, Mancaku barazoi me një 11-metërsh, këtë herë në favor të vendasve. Kur duheshin edhe dy minuta nga mbyllja e kohës së rregullt, Daniel Xhafaj, me golin e tij, i dhuron fitoren Teutës dhe mundësinë për të qëndruar në garë të plotë për një vend në Europa League, e pozicionuar në kuotën e 42 pikëve, po aq sa Flamurtari i vendit të tretë, por një më pak se sa Kukësi i renditur i dyti. Po dje është zyrtarizuar edhe rënia matematike e Luftëtarit nga Kategoria Superiore. Në Krujë, gjirokastritët janë mundur me rezultatin 1-0 nga Kastrioti, falë golit të Kalarit në minutën e 68-të. Krutanët me këto tri pikë kanë siguruar mbijetesën në elitën e futbollit shqiptar. Bashkë me Luftëtarin, tashmë fatin e rënies në Kategorinë e Parë e kanë mësuar edhe Tomori dhe Apolonia.


 


 


 


Superiore (Java XXIII)


 


DJE


Kastrioti-Luftëtari  1-0


Kalari 68’


Flamurtari-Skënderbeu 1-0


Memelli 4’


Besa-Kukësi     0-2


Progni 48’, Allmuaça 70’ (11-m)


Teuta-Apolonia  2-1


Mancaku 47′ (11-m), D.Xhafaj 88′ / Ribaj 8′ (11-m)


 


TË SHTUNËN


Shkumbini-Bylis 2-1


Dervishi 58′, Lluca 84′ / Bakiu 25′


Tomori-Laçi     2-0


Muxhaj 25′, Sulejmani 45′


Tirana-Vllaznia 1-0


G.Lika 48′ (11-m)


 


 


Klasifikimi


Skuadra    N    P


1. Skënderbeu   23   52


2. Kukësi  23   43


3. Flamurtari   23   42


4. Teuta   23   42


5. Tirana  23   38


6. Vllaznia     23   35


7. Laçi    23   34


8. Kastrioti    23   34


9. Bylis   23   30


10. Besa   23   27


11. Shkumbini   23   21


12. Luftëtari   23   18


13. Tomori 23   15


14. Apolonia    23   10