Flamurtarit me shumë mundësi do t’i duhet të presë përtej kësaj fundjave për të zhvilluar ndeshjen e parë në kampionat në qytetin e Vlorës. Kalendari parashikon vlonjatët si skuadër pritëse në takimin e radhës me Lushnjën, në program të shtunën e ardhshme, por janë minimale gjasat që stadiumi në Vlorë të jetë gati deri në atë kohë.
Fusha në stadiumin e Flamurtarit i është nënshtruar një procesi të rimbjelljes së barit për riforcimin e tij në vende të caktuara, proces që kërkon kohën e nevojshme në mënyrë që tapeti të jetë në gjendje optimale për sezonin e ri, ndaj dhe skuadrës së Shpëtim Duros do t’i duhet të shtegtojë jashtë Vlorës për të çelur javën e dytë të Kategorisë Superiore. Për sa i përket alternativave, preferenca e parë për drejtuesit e Flamurtarit mbetet Elbasan Arena, si një impiant bashkëkohor që plotëson të gjitha kriteret për zhvillimin e një ndeshjeje në kushte optimale me Lushnjën, megjithatë vendzhvillimi i ndeshjes mbetet për tu zyrtarizuar nga FSHF.
11 shtator 2017 (gazeta-Shqip.com)