Leonard Boduri


I vetmi ekip që na ka mbetur për të mbështetur bashkërisht si shqiptarë në Botërorin e Brazilit është Zvicra. Shumë shqiptarë të shpërndarë nëpër glob, si të Kosovës, të Malit të Zi, të Maqedonisë dhe sigurisht edhe të Zvicrës në mënyrë instiktive do të ndjekin çunat që do të luajnë me Zvicrën. Ëndrra për një përfaqësim të parë kombëtar në Kampionatin Botëror është plotësuar “pjesërisht”, pasi gjashtë talentet shqiptare që do të luajnë në Brazil nuk u ka kërkuar njeri të manipulojnë “deklarimin e kombësisë apo të fesë” për të qenë pjesë e kombëtares zvicerane. Ata po luajnë si shqiptarë me Zvicrën. Duam apo s’duam ta marrim vesh komuniteti i katërt më i madh në një shtet multietnik si Zvicra përbëhet nga shqiptarët, të cilët tashmë po përfaqësohen për bukuri në kombëtaren zvicerane të futbollit. Mirëpo, kjo gjë nuk na shkon shumë për shtat dhe kemi filluar t’i akuzojmë për tradhti të lartë kombëtare për zgjedhjen që ata kanë bërë për të luajtur me Zvicrën. Madje, dikush jo me pak peshë në FSHF e ka quajtur turp, përdorimin e talentit të tyre kundër përfaqësueses së vendit amë. Për këtë arsye nga inati, meqë shquhemi për “mikpritje” shembullore, nuk kemi harruar të fishkëllejmë si hajvanë gjatë kohës para ndeshjes kur këndohej himni zviceran.


Nuk mjaftoi kjo hapje e pabukur dhe e pamerituar për një mbrëmje që duhej të dhuronte argëtim dhe sportivitet të lartë, por koret histerike nuk munguan gjatë gjithë ndeshjes. Tifozët e zjarrtë të ekipit tonë përfaqësues nuk mundën të përmbaheshin për mosekzistencën e skuadrës sonë në fushë, duke e shprehur mbështetjen e tyre me një lumë të shëmtuar koresh ofenduese dhe objektesh që fluturonin nga shkallët e stadiumit në drejtim të shqiptarëve të Zvicrës. Me pjesën tjetër të ekipit jemi sjellë kryesisht mirë, por nuk na dilte inati me tanët, që luanin me Zvicrën. Natyrisht ata nuk do të ruajnë kujtime të bukura nga sfida kundër përfaqësueses së kombit të tyre në Tiranë. Fajin, sigurisht, e kanë vetë ata, pasi duhet të na e linin ndeshjen ose të bënin gjasme se po luanin dhe të na lejonin që të merrnim edhe ne ndonjë pikë, se jemi gjynah si ekip. Me pak fjalë ne deshëm ta “blinim” ndeshjen me kartën e patriotizmit. Barra më e madhe e fajit, “sipas nesh”, i bie Xherdan Shaqirit, që nuk u mjaftua me golin e shënuar në ndeshjen e parë në Luzern, por vajti dhe shënoi prapë pa pikë turpi. Turp të ketë, i poshtri, “tradhtari”!


Në fakt rezultati i ndeshjes mund të kishte qenë ku thërret kiameti po shqiptarët tanë gjithsesi na toleruan. Sigurisht, ekipi zviceran me pak më shumë përkushtim dhe dëshirë mund të kishte prekur edhe herë të tjera rrjetën e portës sonë, por sipas të gjitha gjasave ata hezituan. Për ata që kanë pak haber nga futbolli, mund të kenë vënë re hezitimin e Xhakës si në ndeshjen e parë në një rast flagrant, ashtu edhe në këtë ndeshje në një rast të diskutueshëm. Në një këndvështrim më të ftohtë, hezitim të pastër për të shënuar në portën shqiptare mund të vihej re te Shaqiri, Mehmeti apo edhe te Behrami, por i kryer me “profesionalitet” të lartë. Ndërkohë, skuadra jonë arriti edhe njëherë synimin e saj për të monopolizuar pozicionin e parafundit në grup. Presidenti Duka, të cilin me sa duket do të jemi të detyruar ta shohim përjetë në krye të FSHF-së, ka bërë maksimumin e tij për ta kthyer këtë ndeshje në një betejë patriotike. A thua se rezultatet katastrofike të skuadrës përfaqësuese kanë ardhur si pasojë e refuzimit talenteve si puna e Shaqirit dhe Xhakës për të luajtur me përfaqësuesen.


FSHF-ja dhe presidenti i saj i përjetshëm dhe i pazëvendësueshëm, pasi kanë marrë shembull nga mënyra se si zhvillohen zgjedhjet politike në vend, nuk kanë ndërmend të mbajnë përgjegjësitë që u takojnë. Në të vërtetë është e padrejtë të kërkohen rezultate të larta futbolli në një vend ku nuk luhet ky sport. Kampionati ynë mund të tregojë cilësi të lartë për huliganizëm të spikatur dhe për kryetarë bashkish apo deputetë që shkojnë në stadiume si sherifë me armë në brez. Sigurisht, nuk mungojnë nëpër fushat e blerta shfaqjet e talenteve të boksit, karatesë, hedhjes së mjeteve të forta nga shkallët e stadiumit, por që  patjetër kanë ngatërruar llojin e sportit. Nga ana tjetër, mazhorancat parlamente shpeshherë mund të jenë decizive në garën e Superligës për titullin kampion, sidomos kur jemi para ndonjë palë zgjedhjesh politike, mirëpo nuk duket askund ndërhyrja e tyre për përmirësimin e ambienteve sportive. Pjesëmarrja femërore nëpër stadiume është pak a shumë e njëjtë me pjesëmarrjen e Policisë së Shtetit në Lazarat. Në këto kushte fushat e blerta mund t’i vlerësojmë si të pranueshme për ushtrimin e sportit të regbisë, por për futboll nuk ka shanse. Shkurt muhabeti, gjendja e sporteve dhe e futbollit në veçanti është për të qarë hallin.


Në kësi rastesh shpresa vdes e fundit. Shyqyr Zotit kemi akoma legjionarë që mund të luajnë për ekipin kombëtar. E merrni dot me mend që mund të vijë një yll si Adnan Januzaj?! Edhe pse ky vend nuk u ka ofruar asgjë, përveçse i ka detyruar të largohen dhe të marrin arratinë, ka prapë talente që duan të luajnë për ngjyrat kuqezi. Historinë tonë për fat të keq e kanë bërë ata që kanë ardhur nga jashtë. Nëse kemi gojë të mburremi me Skënderbeun apo Ismail Qemalin, nuk duhet të harrojmë se ata u formuan jashtë dhe u kthyen për të bërë histori. Mbase edhe në sport mund të na ndjekë i njëjti fat, duke shpresuar te talentet e formuara jashtë vendit, por nuk duhet të harrojmë se ne nuk u kemi dhënë asgjë, ndërsa ata na japin gjithçka. Nëse ndonjëherë talentet, jo vetëm për “faj” të tyre, bëjnë një zgjedhje që nuk na pëlqen, duhet thjesht t’i respektojmë vendimet e tyre. Nga ana tjetër duhet të jemi më koherentë ne “patriotët e zjarrtë” dhe të mësojmë të sillemi si njerëz të qytetëruar. Tifozeria është një turmë e pakontrolluar dhe nuk mund të përfaqësojë aspak mendimin dhe vlerësimin e vërtetë të një vendi, por ajo që ndodhi në “Qemal Stafa” ishte vërtet e shëmtuar. Dikush duhet të marrë masa që ajo shfaqje e padenjë të mos përsëritet. Duhet të na vijë keq nëse ajo që ndodhi do të bënte që shqiptarët tanë të Zvicrës të mos kenë më dëshirë të mbajnë në këpucët e tyre në fushat e blerta të Brazilit flamurin tonë kuqezi, siç kanë bërë edhe në përballjet më kombëtaren tonë…