“Stade de France” pret një përballje me shumë histori mes dy prej kombëtareve më të suksesshme të Europës. Franca dhe Italia zbresin në fushë në orën 20:45, në një duel të vlefshëm për Grupin A1 të Ligës së Kombeve. Franca e nisi aventurën e re me Zidane në stol me një fitore 1-0 ndaj Turqisë dhe më pas mundi Belgjikën me të njëjtin rezultat, duke kryesuar grupin me gjashtë pikë. Italia, pas humbjes 0-2 në shtëpi ndaj Belgjikës, reagoi në transfertë ndaj Turqisë, ku fitoi 4-1.

Për Zinedine Zidane, kjo është një ndeshje e veçantë. Ish-kampioni i botës në vitin 1998 drejton Francën për herë të parë në shtepi, ndërsa përballë do të ketë pikërisht Italinë, kombëtaren ndaj së cilës luajti ndeshjen e fundit të karrierës në finalen e Kupës së Botës 2006.

Francezët do të luajnë pa Kylian Mbappe, i cili u dëmtua në ndeshjen e parë ndaj Turqisë dhe më pas u rikthye në Madrid për të vijuar rikuperimin

Në krahun tjetër, Italia mbërrin me një tjetër atmosferë pas suksesit 4-1 ndaj Turqisë. Pas disfatës së papritur në Romë kundër Belgjikës, skuadra e Roberto Mancinit reagoi me një paraqitje bindëse dhe tani kërkon të marrë rezultat edhe në Paris.

Statistikat e përballjeve direkte tregojnë një rivalitet të gjatë. Franca ka 12 fitore, Italia 9, ndërsa 20 ndeshje janë mbyllur në barazim.

Në dy ndeshjet e fundit mes tyre në ligën e kombeve, dy ekipet kanë nga një fitore me rezultat të njëjtë 3 me 1 dhe të dyja ekipet triumfuan në transfetë. Sakaq, franca ka fituar 3 miqesoret e fundit mes tyre në vitet 2012/2016 dhe 2018.

Kjo do të jetë ndeshja e parë mes tyre në këtë edicion, ndërsa sfida e kthimit është programuar më 12 nëntor në stadiumin “San Siro” të Milanos.

Në dy ndeshjet e para, Franca ka treguar një mbrojtje të fortë, duke mos pësuar ende gol. Italia, ndërkohë, ka shënuar pesë gola dhe ka pësuar tre. Diferenca në renditje është tre pikë, ndaj një rezultat pozitiv në Paris do ta afronte Italinë me kryesuesit, ndërsa Franca kërkon të ruajë ecurinë perfekte.

Përveç Francë–Itali, sonte luhen edhe përballje të tjera në Ligën e Kombeve. Në Grupin A1, Belgjika pret Turqinë, ndërsa në Ligën B Hungaria përballet me Gjeorgjinë, Ukraina me Irlandën e Veriut, Bosnje-Hercegovina me Suedinë dhe Polonia me Rumaninë.