Shqipëria ka arritur një një tjetër fitore të madhe në betejën institucionale me organizatat që drejtojnë futbollin botëror. Nedim Bajrami do të vishet kuqezi dhe do të jetë përforcimi më i rëndësishëm për trajnerin Edy Reja në kuadër të tre sfidave që na presin ndaj Polonisë, Hungarisë dhe San Marinos.
Gjykata e Arbitrazhit Sportiv i ka dhënë të drejtë FSHF-së në betejën ndaj FIFA-s, me qeverinë ndërkombëtare të futbollit që kish penguar aktivizimin e yllit të Empolit më skuadrën tonë përfaqësuese.
Sigurisht që nuk është një fitore si ajo ndaj UEFA-s për ngjarjet e rënda të Beogradit, por gjithsesi mbetet një sukses shumë i rëndësishëm i marrë në CAS nga ana e institucionit që drejton futbollin shqiptar.
FIFA e pengoi aktivizimin e 22-vjeçarit me kombëtaren tonë për shkak se Bajrami kish luajtur disa ndeshje me përfaqësuesen e 21-vjeçarëve të Zvicrës dhe sipas rregullores, një futbollist që kalon moshën 21 vjeç dhe luan me një kombëtare, qoftë ajo e shpresave, nuk ka të drejtë të ndryshojë përfaqësuese, megjithatë ky pretendim, i cili zanafillën e pati në federatën zvicerane, është hedhur poshtë nga Gjykata e Arbitrazhit Sportiv.
Tashmë djaloshi nga Tetova, i lindur në Zyrih, do të jetë një armë shumë e fortë për trajnerin Edy Reja, teksa edhe në dy sfidat e para të Serisë A ka zhvilluar paraqitje vërtetë të jashtëzakonshme me fanellën e Empolit, sidomos në sfidën e fundit kundër Juventusit.