Reagimi erdhi dy ditë pas vendimit për ndeshjen Mali i Zi – Rusi


Federata e Malit të Zi ka vendosur të mos e apelojë dënimin e UEFA-s, duke e cilësuar të drejtë humbjen në tavolinë


Vendimi me dy standarde i Komisionit të Disiplinës të UEFA-s për ngjarjet, do të pasqyrohet edhe para CAS të Lozanës


Serbia-and-Albania_1Ndonëse dy ditë me vonesë, Federata Shqiptare e Futbollit ka reaguar rreth skandalit të gjykimit me standard të dyfishtë të UEFA-s për ngjarje të njëllojta. Pas incidenteve të takimit Mali i Zi – Rusi të kualifikuesve të Euro 2016, të mërkurën, Komisioni i Disiplinës i UEFA-s, i dha në tavolinë ndeshjen ekipit udhëtues, duke cilësuar përgjegjës skuadrën vendase për problemet në stadiumin e Podgoricës. Për FSHF-në, ky vendim është i drejtë dhe po kështu duhej të kishte qenë edhe vendimi i dhënë për ngjarjet e 14 tetorit në Beograd.


“Komisioni i Etikës dhe Disiplinës i jep në tavolinë Rusisë 3 pikë, në lidhje me ndeshjen Mali i Zi – Rusi, duke dënuar kështu me humbje 0-3 Malin e Zi. FSHF-ja mendon se ky vendim është tejet i drejtë: Në përputhje me standardet dhe rregullat e UEFA-s. Duke marrë shkas nga ky vendim, FSHF-ja thekson që në rastin e ndeshjes Serbi – Shqipëri, Komisioni i Etikës dhe Disiplinës nuk aplikoi të njëjtin standard gjykimi, sepse dhuna në stadiumin ‘Partizan’ të Beogradit ishte më ekstreme dhe e shoqëruar gjithashtu me thirrje raciste. Pamjet e goditjeve të lojtarëve tanë me karrige dhe sende të forta, fishekzjarrët dhe hyrja në fushë e tifozëve në prani të 5000 policëve janë një argument i padiskutueshëm që vendi organizator dështoi për mbarëvajtjen e një ndeshjeje normale futbolli mbështetur në rregullat e UEFA-s. Duke pritur vendimin e 17 prillit të CAS-it, ne kemi shumë shpresë për një gjykim të drejtë, jo thjesht që kombëtares së Shqipërisë i takojnë 3 pikët, por sepse vendimi në favor të Shqipërisë është vendimi në favor të futbollit”, ishte reagimi i institucionit që drejton futbollin në vendin tonë.


Ndeshja Mali i Zi – Rusi u ndërpre që në sekondat e para të saj, pasi portieri rus, Igor Akinfeev, u godit me një fishekzjarr që u hodh nga tifozët vendas. Pas një ndërprerjeje të gjatë prej më shumë se 30 minutash dhe pasi u zëvendësua portieri, skuadra ruse pranoi të kthehej në fushë. Por takimi u ndërpre përfundimisht në pjesën e dytë, pas një zënke që shpërtheu në fushë mes ekipeve, ndërsa lojtarët rusë pretenduan se ishin gjuajtur përsëri me objekte nga tifozeria vendase. UEFA e cilësoi ndeshjen e braktisur, ashtu si në rastin e takimit Serbi – Shqipëri. Por Komisioni i Disiplinës i saj, këtë radhë ia hodhi të gjithë përgjegjësinë skuadrës vendase për mosorganizimin, ndërsa Rusia u dënua vetëm me 50 mijë euro gjobë për parullat provokuese të tifozerisë së saj.


Ky vendim i dhënë nga UEFA, i cili nuk do të apelohet nga Federata e Futbollit të Malit të Zi, pritet të jetë një armë më shumë në dispozicion të studios ligjore që po përgatit dosjen për apelimin në CAS të Lozanës. Që në momentin e parë, FSHF-ja ka insistuar në qëndrimin e saj se vendimi i Komisionit të UEFA-s ka qenë politik, aspak i bazuar mbi rregulloret e aktiviteteve dhe aq më shumë mbi realitetin e ngjarjeve që kishin ndodhur më 14 tetor. Drejtuesit e FSHF-së ishin të bindur se nuk do të gjenin drejtësi nga Komisionet e UEFA-s, e cila edhe në të kaluarën kishte falur Federatën e Futbollit të Serbisë për probleme të ngjashme të tifozerisë së saj dhe i kishin të gjitha shpresat vetëm te CAS i Lozanës. Për këtë arsye, u kontraktua avokati Antonio Rigozi, i studios zvicerane “Lévy Kaufmann-Kohler”, pasi ai vlerësohet si një nga njohësit më të mirë të legjislaturës sportive dhe mund të bindë një juri të paanshme si ajo e CAS t’i japë të drejtën Shqipërisë.