Trajneri rumun Mircea Luçesku është ndarë nga jeta sot në moshën 80-vjeçare në Spitalin e Urgjencës Universitare të Bukureshtit.
Ish-trajneri i ekipit kombëtar rumun ishte shtruar në spital që nga 29 marsi, pasi u sëmur teksa ishte në grumbullimin me Rumaninë në kampin stërvitor të Mogoshoaia, pasi kishte qenë në pankinë në ndeshjen e play-off të Botëorit ndaj Turqisë.
Të dielën e kaluar ai u transferua në repartin e terapisë intensive pas një infarkti akut të miokardit.
“Spitali i Urgjencës Universitare i Bukureshtit njofton se sot, të martën, 7 prill 2026, rreth orës 20:30 të mbrëmjes (ora lokale), Z. Mircea Luçesku u shpall i vdekur”, shkruhej në njoftimin e spitalit.
Mircea Luçesku ishte një nga trajnerët dhe lojtarët më të suksesshëm rumunë të futbollit, i pari që kualifikoi ekipin kombëtar rumun për një Kampionat Europian, në vitin 1984.
Ai ishte trajneri i tretë me më shumë trofe të fituar në karrierë, plot 35 të tillë, i kaluar vetëm nga Aleks Ferguson dhe Pep Guardiola.
