Në veri të Atlantikut, një grup ishujsh të vegjël po jeton një ëndërr të madhe — kualifikimin historik në Kupën e Botës 2026.

Bëhet fjalë për Ishujt Faroe, që kanë marrë 12 pikë në shtatë ndeshje të Grupit L, duke mbajtur gjallë shpresat për një vend në “play-off”.

Pas fitoreve radhazi ndaj Malit të Zi, Gjibraltarit dhe Çekisë, kombëtarja e vogël ka barazuar serinë më të mirë në historinë e saj. Me një renditje të ulët botërore, vendi i 127-të në FIFA, dhe me vetëm 55 mijë banorë, Ishujt Faroe mund të bëhen shteti më i vogël ndonjëherë që arrin në një Botëror.

Në vendin ku shi bie 300 ditë në vit dhe ku fusha me bar artificial janë e vetmja zgjidhje, futbolli është bërë pjesë e përditshme e jetës. Plot 7,500 lojtarë të regjistruar luajnë në 18 klube dhe 26 fusha, një pasion i jashtëzakonshëm për një popull kaq të vogël.

Në krye të kësaj skuadre ndodhet Eyðun Klakstein, ish-gazetar dhe shkrimtar krimesh, i cili është trajneri i parë vendas i kombëtares që nga viti 2008. Ai ka drejtuar skuadrën drejt pikëve më të shumta në një fushatë kualifikuese në historinë e vendit.

“Ne vendosëm ta bëjmë në mënyrën tonë – mënyrën faroeze. Trajnerët, stafi, lojtarët – të gjithë vendas. Dhe kjo ka sjellë sukses,” – është shprehur Klakstein, i cili mban një rekord mbresëlënës me pesë fitore në dhjetë ndeshje dhe asnjë humbje me më shumë se një gol diferencë.

Pas dekadash humbjesh të njëpasnjëshme dhe mungesë suksesi, ndryshimi ka ardhur falë investimeve në akademitë e të rinjve dhe në infrastrukturën sportive, sipas presidentit të federatës, Christian Andreasen, i cili ka ndjekur shembullin e Islandës.

Sot, lojtarë si Jóan Símun Edmundsson, i pari faroez që ka shënuar në një nga pesë ligat më të mëdha evropiane, përfaqësojnë rritjen e një futbolli që dikur dukej i pamundur.

Në kryeqytetin Torshavn, tifozët e grupit “Skansin” tashmë mbushin tribunat me flamuj, trumba dhe këngë për kombëtaren e tyre, ndërsa ëndrra e Botërorit është më e afërt se kurrë.

Nga një skuadër që dikur humbiste 25 ndeshje rresht, në një ekip që sot sfidon Kroacinë për një vend në play-off — Ishujt Faroe po tregojnë se edhe mrekullitë futbollistike mund të lindin nga deti dhe mjegulla.