Futbolli shqiptar është përfshirë nga zia këtë të enjte pas ndarjes nga jeta të Esat Bushatit, një prej emrave të njohur të brezit të artë të futbollit shkodran. Ish-futbollisti ndërroi jetë në moshën 97-vjeçare.
Lajmi është bërë i ditur nga klubi i Vllaznisë, i cili përmes një njoftimi ka shprehur dhimbjen dhe ngushëllimet për familjarët e tij.
Bushati ishte pjesë e Vllaznisë gjatë viteve ’40-’60, ndërsa gjatë karrierës së tij ka mbajtur edhe fanellën e Partizanit dhe të Kombëtares shqiptare.
Ai kujtohet veçanërisht për paraqitjet në repartin e mbrojtjes, duke u renditur mes futbollistëve të spikatur të brezit të tij.
Klubi shkodran ka njoftuar se homazhet në nderim të Esat Bushatit do të zhvillohen të premten, nga ora 10:00 deri në 12:00, në hollin e stadiumit “Loro Boriçi”.
Me ndarjen e tij nga jeta, futbolli shqiptar humb një tjetër figurë të brezit të hershëm, ndërsa kontributi i tij me Vllazninë, Partizanin dhe Kombëtaren do të mbetet pjesë e historisë së futbollit vendas.
Vllaznia shpreh ngushëllimet për ndarjen nga jeta në moshën 97 vjeçare të ish- futbollistit të klubit tonë Esat Bushati, i cili ka dhënë një kontribut të madh për fanellën në vitet ’40-’60. Përpos karrierës me Vllazninë, ai ka luajtur me sukses edhe për Partizanin dhe kombëtaren shqiptare duke qenë një nga mbrojtësit më të mirë të atyre viteve. Homazhet në nderim të tij do të zhvillohen ditën e premte, nga ora 10:00 deri në orën 12:00, në hollin e stadiumit “Loro Boriçi”. I përjetshëm qoftë kujtim yt Esat Bushati!-lexohet në njoftimin e Vllaznisë.
