Ilirjan Thaçi humb jetën, pas 10 minutash lojë në miqësore mes Kukësi U17-Prizreni U17
Futbollisti i Kukësit U-17, Ilirjan Thaçi, ka humbur jetën dje rreth orës 15:00 ndërsa luante në fushën e vet një miqësore ndaj të rinjve të Prizrenit. Burime nga vendngjarja tregojnë se Thaçi humbi jetën në fushën e blertë krejt papritur. Ai u rrëzua përtokë pa pasur kontakt me topin apo pa u përplasur me ndonjë kundërshtar. Mjekët e spitalit të Kukësit thanë se 17-vjeçari kishte vdekur nga një atak kardiak dhe se çdo përpjekje për ta shpëtuar, ka qenë e kotë.
Tifozët – Tifozët që ndiqnin ndeshjen në shkallët e stadiumit ishin të parët që panë të riun të rrëzohej përtokë. Gjyqtari ka ndaluar menjëherë lojën dhe ka thirrur ndihmën e shpejtë, një mjek të ekipit të Prizrenit. “U përpoqën t’i japin frymë aty në fushë, por ishte e pamundur, tregoi një tifoz, i cili nuk i mbante dot lotët. Një tifoz tjetër, duke përshkruar atë që i panë sytë, rrëfen se “Ilirjani nuk e kishte topin nën kontroll, por vetëm ka vendosur një dorë në gjoks dhe ka rënë ngadalë”. Disa persona e kanë vënë në barelë menjëherë dhe e kanë dërguar në spital, që është jo më shumë se 200 metra larg. Pas këtij çasti loja është ndërprerë dhe lojtarët e të dyja skuadrave kanë vrapuar në spital e bashkë me ta, dhjetëra tifozë.
Mjekët – Mjeku i rojës, Ismet Nika, tregon se nga të dhënat paraprake, shkaku i vdekjes së të riut ka ardhur nga një atak kardiak i menjëhershëm dhe se ai kishte ndërruar jetë para se të mbërrinte në urgjencën e spitalit. Drejtuesit e ekipit nuk kanë dhënë ndonjë sqarim nëse ka pasur mjek ekipi i Kukësit. Mjeku Nika nuk është i sigurt nëse ka pasur një mjek, qoftë edhe të Prizrenit në fushën e lojës: “Kur e sollën djaloshin pa frymë në urgjencë, ishin dy trajnerë që e mbanin dhe kuptohet shumë lojtarë dhe tifozë, që policia mezi po i largonte, por nuk më kujtohet të jetë prezantuar dikush si mjek. Ataku kardiak duhet t’i ketë ardhur papritur dhe se rezultatet pas autopsisë do të mund të thonë ndonjë gjë konkrete”. Sipas Nikës, edhe familjarët kanë thënë se djali i tyre nuk kishte shfaqur shenja të sëmundjes, përjashto ndonjë shenjë dobësie e konsideruar e zakonshme.
Policia – Zëdhënësi i Policisë së Qarkut të Kukësit, Mirjan Hoxha, duke iu referuar të dhënave të para të hetimit tregon se “vdekja e të riut është shkaktuar nga një atak në zemër, ndërsa po luante futboll dhe se po bëhen hetime për zbardhjen e ngjarjes. Do të pritet rezultati i autopsisë për të dhënë një version të saktë mbi shkakun e vdekjes”.
Pikëllimi i shokëve – Humbja tragjike e jetës së Ilirjan Thaçit ka ngrirë buzëqeshjen e lojtarëve të Kukësit dhe Prizrenit. Thaçi ka rënë pa ndjenja në fushë 10 minuta pas fillimit të ndeshjes. 17-vjeçari ishte një mbrojtës i djathtë. Një shok i viktimës tha se “e kishte parë kur i ishin këputur gjunjët për të mos u ngritur më”. Ilirjani ishte i pasionuar pas futbollit dhe ishte pjesë e formacionit bazë të ekipit U17, që renditet në vendin e dytë në klasifikim.
Familja dhe moshatarët – Familja Thaçi, me origjinë nga Hasi, banon në Kukës prej vitesh. Babai i viktimës mësohet se është emigrant në Perëndim, ndërsa familja ka edhe një djalë tjetër më të vogël. Ilirjani ishte maturant në shkollën e mesme “Havzi Nela” në Kukës, ku menjëherë pas lajmit të vdekjes së tij, kanë krijuar një faqe homazhi në rrjetin social “Facebook”, ku dhjetëra bashkëmoshatarë tregojnë dhimbjen për të. sd