Sipas raportimeve të Diario Sport, Robert Lewandowski po mendon seriozisht të tërhiqet nga futbolli nëse Barcelona vendos të mos i rinovojë kontratën në fund të këtij sezoni.

Sulmuesi polak, i cili është në skadencë kontrate në verë, sipas burimeve pranë klubit, nuk pritet të marrë një ofertë të re për vazhdimin e bashkëpunimit.

Lewandowski dhe familja e tij janë të lidhur ngushtë me qytetin e Barcelonës dhe, siç raporton media spanjolle, ata nuk janë të prirur të pranojnë oferta nga liga ekzotike si Saudi Pro League, pavarësisht shifrave të mëdha që janë vënë në tryezë.

Disa klube saudite kanë tentuar ta bindin me paga të majme dhe kontrata afatgjata, por 37-vjeçari nuk është më i motivuar nga aspekti financiar. Ai ndien se ka arritur gjithçka që dëshironte në karrierën e tij, duke përfshirë edhe periudhën e tij të suksesshme me Barcelonën, ku ka shënuar 108 gola në tri sezone.

Nëse katalanasit, nën drejtimin e Hansi Flick, vendosin të nisin një epokë të re pa të, Lewandowski mund të marrë vendimin për t’i dhënë fund një karriere madhështore, duke u larguar nga futbolli në majë të lavdisë.