Kombëtarja e Futsallës arriti dhe fitoren e dytë në grupin e saj paraeliminator duke mundur me rezultatin e thellë 5-1 Anglinë. Një rezultat historik ky për futbollin e sallave që kurrë më parë nuk ia kishte dalë mbanë të kalonte përtej raundit paraeliminator. Kuqezinjtë, ashtu si një ditë më parë ndaj Bullgarisë, zhvilluan një lojë shumë të mirë përballë britanikëve, ku rezultati përfundimtar flet vetë për dominimin e Shqipërisë. Kombëtarja e Futsallës zhvilloi një tjetër ndeshje befasuese dhe pjesën e parë të lojës e mbylli me rezultatin e pastër 2-0. Karaja shënoi golin e parë pas 11 minuta e 49 sekonda, ndërsa 30 sekonda më pas ishte Selmanaj që realizoi dhe golin e 2-0.


Në pjesën e dytë, Brahimi me golin e tij praktikisht mbylli ndeshjen, ndërsa Anglia mundi të shkurtonte rezultatin me Ballinger. Ndërkohë golin e katërt për kuqezinjtë e realizoi Halimi pas 29 minuta e 50 sekonda, ndërsa Brahimi vulosi rezultatin përfundimtar me golin e 5-1. Gjatë lojës spikati gjithashtu dhe portieri Gashi që realizoi disa pritje të jashtëzakonshme. Me këtë fitore Shqipëria kryeson Grupin D me 6 pikë dhe ndeshjen tjetër do ta luajë të premten kundër Maltës, që vlerësohet si ekipi më i dobët i grupit. Në raundin tjetër, atë eliminator do t’i bashkohet 21 ekipeve më të mira të kontinentit, që do të ndahen në 7 grupe, ku ekipet e renditura në vendin e parë do të kenë mundësi të kualifikohen direkt për në fazën finale të Europianit, ndërsa skuadrat e dyta dhe të treta do të luajnë në play off.


25 janar 2017 (gazeta-Shqip.com)