Ndeshja mes Interit dhe Juventusit do të hyjë në histori për ngjarjet që prodhoi drejtimi i kryesorit Federiko La Pena, i cili i nxori karton të kuq në mënyrë të padrejtë Pierr Kalulu.

Një vendim dhe një ndeshje që është mbyllur me shumë polemika të cilat nuk kanë fund dhe me situatën e gjyqtarrit që është bërë shqetësuese, jo vetëm për faktin se pritet të qëndrojë rreth një muaj jashtë fushave të lojës. Rrjetet sociale janë mbushur me kritika e akuza, por edhe me kërcënime të cilat janë bërë shqetësuese.

Sipas “Correre Dello Sport”, aq të shumta kanë qenë kërcënimet me jetë që ka marrë ai gjatë këtyre ditëve, sa i është drejtuar policisë me një denoncim ndaj personave të cilët e kanë tepruar me fjalët për të, gruan e tij dhe dy vajzat e vogla. La Pena, i cili profesion të parë ka atë të avokatit, e di mirë se si duhen trajtuar ngjarje të tilla ndaj i është drejtuar policisë duke bërë këtë denoncim duke dokumentuar kërcënimet që ka marrë.

Por ajo që bën çudi është se policia për momentin e ka këshilluar që si masë të parë të shmangë daljet nga shtëpia. Jo vetëm ai, por edhe familja e tij, në mënyrë që të paktën në këto ditë të para pas ndeshjes, të mos ketë përballje me ndonjë tifoz të pakënaqur.