Parashikimi



E gjithë vëmendja e opinionit sportiv mbrëmë ka qenë te finalja e Euro 2012, që zhvillohej në stadiumin “Olimpiski” të Kievit mes Spanjës dhe Italisë. Të shumtë kanë qenë ata që kanë provuar para kësaj supersfide, por për gazetën “Shqip” e kanë bërë dy mesfushorët e Kombëtares kuqezi, Sokol Bulku dhe Gilman Lika.


“Besoj se kanë dalë dy ekipet më të mira të Europianit, një Itali që ka ardhur në rritje që nga ndeshja e parë mes tyre në grupin C, dhe një Spanjë konstante në lojë dhe në rezultate, ka theksuar Bulku. Janë dy shkolla të ndryshme, njëra e bazon lojën shumë te taktika, ndërsa tjetra te pasimet e shumta dhe te spektakli. Finalja është finale, nuk ka shumë rëndësi, pasi ajo është një ndeshje dhe mund të vendoset nga faktorë të ndryshëm. Nëse do ta fitonte Spanja, do të vendoste një rekord të parealizuar nga askush, pasi do të bëhej skuadra e vetme që fiton tre trofe radhazi, por unë që nuk jam tifoz me asnjërën prej këtyre dy skuadrave, shpresoj që ta fitojë Italia. Sipas meje, ndeshja do të përfundojë 0-0 në 120 minuta dhe kampionia vendoset me penallti”. Por parashikimi i Bulkut ka qenë shumë larg realitetit, pasi Spanja shkatërroi Italinë 4-0 dhe mbylli gjithçka brenda 90 minutave të kohës së rregullt. Ndërsa Gilman Lika gjeti kampionin, por jo rezultatin e ndeshjes: Mendoj se kampionatin do ta fitojë Spanja, pavarësisht se Italia ka bërë paraqitje të mira në këtë Europian. Por për momentin spanjollët janë skuadra më e mirë dhe luajnë futbollin më të bukur në botë. Sipas mendimit tim nuk do të jetë një finale me shumë gola, por pres që Spanja të fitojë me rezultatin e ngushtë 1-0″, u shpreh Gilman Lika.