Mesfushori mbetet i zhgënjyer nga humbja me Islandën, skuadra e rënduar psikologjikisht


Shqipëria ka humbur në ndeshjen e tretë në grup përballë Islandës, skuadër e cila po surprizon nga ndeshja në ndeshje. Kuqezinjtë, pas humbjes me Zvicrën, kanë marrë edhe një goditje tjetër, e cila këtë herë erdhi përballë tifozëve dhe publikut të zjarrtë që duroi shiun në “Qemal Stafa” përgjatë gjithë 90-minutëshit. Skuadra tashmë ndihet e shokuar pas humbjes me një rezultat që nuk pritej. Miqtë u treguan të shkathët dhe shfrytëzuan terrenin, i cili nuk ishte i përshtatshëm për zhvillimin e një ndeshjeje të nivelit të tillë. Megjithatë, kuqezinjtë e drejtuar nga Xhani de Biazi kanë një shans ditën e martë në ndeshjen përballë Sllovenisë për të rregulluar gabimin e bërë të premten mbrëma. Skuadra ka nisur dje në orën 10:00 stërvitjen në Durrës, ndërsa pasdite ka qenë e lirë. Për sa u përket lojtarëve, askush nuk e beson se ka humbur ndeshjen, pasi janë ndëshkuar vetëm nga dy episode. Mesfushori i Tiranës dhe kombëtares sonë, Gilman Lika, i cili u rikthye të luante me kuqezinjtë pas disa ndeshjesh mungesë, për gazetën “Shqip” deklaron: “Kisha bërë mungesë të gjatë në kombëtare. Por, pavarësisht kësaj, mendova se do të jepja më shumë për ekipin. Prisja më tepër nga vetja, por terreni i rënduar ndikoi në lojën tonë. Gjithçka u vështirësua me dyndjen e reshjeve, por miqtë përfituan nga kjo dhe bënë lojën. Mundoj se në kushte më të favorshme do të kishim fituar takimin, madje nuk do të kishim pësuar asnjë gol. E ndiejmë psikologjikisht humbjen, e cila ndikon edhe në rrugën tonë për objektivat që kemi. Sfidën e radhës duhet ta shikojmë me kujdes. Sërish luajmë përpara tifozëve tanë dhe duhet të japim maksimumin, pasi duhet të rikuperojmë pikët e humbura. Islanda na ndëshkoi me anë të një goditjeje dënimi dhe një rivënieje anësore, që për mua duken si gola fantazmë. Nuk e di se çfarë emri mund t’i vë kësaj humbjeje. Për sa i përket aktivizimit tim në ndeshjen e radhës, është trajneri ai që vendos nëse do të jem në formacion ose jo. Kurse për golat e pësuar jemi të gjithë fajtorë, pasi nuk bëj fajtor një njeri të veçantë apo një repart të skuadrës. Nëse do ta bëj këtë gjë, e njëjta situatë do të jetë dhe me mua kur unë të gaboj. Shpresoj të fitojmë takimin e radhës dhe të japim maksimumin tonë”, përfundon shkodrani Lika, i cili thekson se ekipi duhet të luajë më i organizuar në ndeshjen e së martës.