Gjendet zgjidhja, në stadiumin “Qemal Stafa” do të luhet me drita në orën 20:30


Altin Manallari


Shqipëri-Moldavi do të luhet ashtu siç ishte parashikuar, në orën 20:30 në stadiumin “Qemal Stafa”, madje edhe me drita. Po kjo jo me ato që ofron CEZ Shpërndarja. Zgjidhja është gjetur, duke shmangur totalisht konfliktin me kompaninë e shpërndarjes së energjisë elektrike. Një gjenerator do të bëjë të ndriçojnë projektorët e impiantit më të madh në vend.


Makthi më në fund mbaroi. Janë vetëm 24 orë përpara zhvillimit të ndeshjes miqësore, që Kombëtarja kuqezi, e drejtuar nga italiani Xhani de Biazi, do të zhvillojë ndaj Moldavisë, sipas programit. Në fakt duket pak absurde, por është një zgjidhje që shpëtoi fatin e kësaj miqësoreje, e cila të martën ishte në rrezik të mos zhvillohej. Shkak për këtë u bë një konflikt mes kompanisë së shpërndarjes së energjisë elektrike, CEZ, dhe drejtuesve të stadiumit kombëtar “Qemal Stafa” në lidhje me borxhet e papaguara të këtyre të fundit. CEZ-i ka vendosur t’i ndërpresë furnizimin me energji tempullit të futbollit shqiptar. Ndërkohë që “Qendra Sportive” sh.a, e cila ka krijuar një debi prej 756.934,36 lekësh bashkë me kamatën, të gjitha fatura të papaguara përgjatë viteve 2008, 2010, 2011, 2012, nuk ishte e gatshme ta shlyente, duke qenë që prej më shumë se një viti ka filluar procedura e kalimit të këtij aseti nga “Qendra Sportive” sh.a në Shoqatën “Kuqezi”, e krijuar nga Federata Shqiptare e Futbollit. Kjo çështje ka qenë publike prej kohësh, por para ndeshjes miqësore Shqipëri-Moldavi, CEZ Shpërndarja gjeti rastin të theksonte problemin, duke këmbëngulur se nëse nuk shlyhej borxhi, atëherë stadiumit nuk do t’i ofrohej energji elektrike. Kjo vuri në pikëpyetje zhvillimin e ndeshjes, pasi FSHF-ja do të duhej të bënte një figurë jo serioze, nëse do të njoftonte kundërshtarët moldavë, por edhe FIFA-n, se do të ndryshonte orarin e takimit (për ta luajtur në orët e pasdites) ose vendin e takimit. Megjithatë zgjidhje problemit i është dhënë vetëm sot. Federata ka vendosur të mos ndryshojë orarin dhe as stadiumin, duke i qëndruar vendimit të parë, por në mungesë të bashkëpunimit me CEZ-in, çështja e ndriçimit e fushës i është besuar energjisë së siguruar nëpërmjet një gjeneratori. Në fakt, në procedurën e punës së stadiumit kombëtar, edhe në kohën kur energjia elektrike ofrohet nga kompania e shpërndarjes, mbahet në gatishmëri një gjenerator për rastet e ndonjë emergjence. Kujtojmë që një rast i tillë ndodhi më 20 janar 2010, në ndeshjen Gramozi-Real Madrid, ku pas një defekti elektrik, u desh të sillej një gjenerator për të vazhduar takimin. Ndryshim nga atëherë është se sot Shqipëri-Moldavi do të luhet vetëm me gjenerator, me shpresën se nuk do të kemi ndonjë surprizë tjetër të pakëndshme, që do të dëmtonte imazhin e vendit.