Myler shënon dhe arrin Maradonën. Amerikanët kualifikohen falë golavarazhit
Gjermania dhe SHBA kanë kaluar mes 16 skuadrave më të mira të këtij Botërori, por jo falë një akordi mes palëve, siç ishte trumbetuar në ditët e fundit. Amerikanët janë mundur me rezultatin 1-0, pas golit të radhës të shënuar nga Tomas Myler, por gjithsesi kanë përfituar nga golavarazhi i përgjithshëm në Grupin G, edhe pse e mbyllën me pikë të barabarta me Portugalinë. Këta të fundit mposhtën 2-1 Ganën në ndeshjen e tyre të fundit, por me një golavarazh më negativ, të ndikuar nga humbja e thellë me Gjermaninë, i kanë dhënë lamtumirën turneut.
Shirat e rrëmbyeshëm në Recife kishin vënë diskutim zhvillimin e ndeshjes ku viheshin përballë miqtë Klinsman dhe Lëv. Në fund, dy skuadrat kanë zbritur në fushën e lojës, me ndryshime kryesisht në radhët e ekipit gjerman, ku Shvajnshtajger dhe Podolski ktheheshin si titullarë. Ishin pikërisht gjermanët ata që ushtruan më shumë trysni që në minutat e para të sfidës, me mbrojtësit amerikanë dhe portierin Hauard që u detyruan të bënin ndërhyrje vendimtare për të shmangur që Myler apo Ozil të gjenin rrugën e rrjetës. Duke parë se asgjë nuk po ndryshonte në lojën e ekipit të tij, pavarësisht dominimit territorial, Lëv aktivizoi në fillimin e pjesës së dytë edhe Miroslav Klose, i cili është në kërkim të golit që do ta bënte rekordmen absolut të Botërorëve. Falë kësaj lëvizjeje, Gjermania rriti intensitetin e manovrës së saj, duke u shpërblyer me golin e minutës së 55-të, të shënuar nga Tomas Myler, i aftë të dërgonte topin në rrjetë pas një grushtimi të Hauard ndaj gjuajtjes me kokë të Mertesaker. Ky ishte goli i 9 në Botëror për Myler, duke barazuar një legjendë të futbollit si Diego Maradona. Lajmet nga ndeshja tjetër se Gana kishte barazuar rezultatin, bënë që SHBA të alarmohej dhe të kërkonte barazimin, pasi fitorja e afrikanëve i eliminonte nga turneu, për edicionin e tretë radhazi. Ndonëse skuadra e Klinsman nuk arriti të gjente golin e barazimit, pavarësisht tentativave të Bedoja dhe Dempsi, ajo doli duke festuar nga fusha, pasi fitorja në minutat e fundit të Portugalisë i siguroi një vend mes 16 ekipeve më të mira të turneut, që gjithsesi e kishte merituar me paraqitjet e saj.
Në sfidën tjetër të grupit, të luajtur në Brazilia, Portugalia fillonte ndeshjen me idenë e qartë se duhej një goleadë me 5 gola diferencë për të kaluar SHBA-në në vendin e dytë në grup. avantazhi erdhi në minutën e 30-të, falë autogolit të Boje, i cili kaloi topin mbi portierin Dauda duke devijuar gabimisht harkimin e Velozos. Përgjigjja e ganezëve, në radhët e të cilëve mungonin Muntari e Boateng të përjashtuar, erdhi në pjesën e dytë të ndeshjes, kur Asamoah Gian barazoi shifrat. Ky i fundit u bë golashënuesi më i mirë afrikan në historinë e Botërorëve, duke çuar në 6 shifrën e realizimeve, për të kaluar legjendën kamerunase Roxher Milla. Meqenëse SHBA po mundej nga Gjermania me rezultatin 1-0, ganezët kuptuan se suksesi 2-1 ndaj Portugalisë i kalonte në turin tjetër. Uaris humbi mundësinë për të shënuar këtë gol pak minuta pasi Gian gjeti barazimin, duke dërguar topin jashtë kuadratit nga një pozicion i favorshëm, pa asnjë mbrojtës rrotull. Ky gabim do të rezultojë fatal, pasi ganezët paguan pasaktësinë e tyre në minutën e 80-të, kur pas një moskuptimi mes Dauda dhe Mensah, topi përfundoi te Kristiano Ronaldo. Ky i fundit gjuajti me të majtën, për t’i dhënë këtë fitore pa vlerë ekipit të tij që u largua nga turneu pa lënë shenjë.
Grupi H
Portugali-Gana 2-1
30’ (ag) Boje, 80’ K. Ronaldo / 57’ Gian
SHBA-Gjermani 0-1
55’ Myler
Kryeministrit shqiptar, Edi Rama, i është bashkuar ambasadorit amerikan, Aleksandër Arvizu, dhe ambasadorit gjerman, Helmut Hofman, të cilët po shikonin bashkë në një lokal të kryeqytetit sfidën mes SHBA-së dhe Gjermanisë