Boks
Ndeshja për mbrojtjen e titullit WBC të 31-vjeçarit do të zhvillohet në vendlindjen e tij
Gjetan Keta do të kthejë sot sytë e të gjithë botës nga qyteti i Bulqizës. Boksieri 31-vjeçar shqiptar, kampion euro-aziatik i peshave të mesme në Federatën WBC, do të ketë sot ndoshta ndeshjen më të rëndësishme të karrierës së tij. Kjo, jo për faktin se do të mbrojë këtë brez të fituar në korrikun e këtij viti, por sepse do të tentojë që të ngrejë sa më lart emrin e qytetit të lindjes, ku do të organizojë këtë sfidë të veçantë ndaj rusit Marat Khuzev.
Keta ka arritur që të nënshkruajë një kontratë me televizionin gjerman “Sat1”, i cili do ta transmetojë për 137 vende të botës, duke bërë që i gjithë globi të njihet me Bulqizën, qytet ku në ditët e fundit është punuar ditë e natë që të ngrihet ringu për këtë ndeshje. “Nga ana fizike jam shumë mirë, jam stërvitur fort me vëllain në Gjermani”, janë fjalët e Gjetan Ketës para sfidës për të cilën është përgatitur nën mbikëqyrjen e një tjetër kampioni të madh shqiptar, Ismail Ketës. Dy vëllezërit kanë hequr dorë nga çdo fitim financiar i kësaj sfide, duke ia bërë dhuratë qytetit të tyre, duke menduar për ta publicizuar atë, si dhe për ta ndihmuar që të ndërtohet një stadium futbolli. “Për ne që jemi gjithmonë larg, Shqipëria është shumë e shtrenjtë. Ka shumë sportistë që mund të ndjekin rrugën tonë”, shprehet boksieri me banim në Gjermani, i cili në ditët e fundit ka supervizuar punimet në ringun e improvizuar.
Ismail Keta, nga ana tjetër, mendon se kjo sfidë në Bulqizë do të jetë një shtysë më shumë që Gjetani të arrijë të mbrojë titullin, edhe pse kundërshtari i tij cilësohet favorit në këtë ndeshje. “Është në formë si asnjëherë tjetër. Presioni i ndeshjes në vendlindje, te Gjetani kthehet në forcë. Ne donim t’i jepnim vlerë Bulqizës. Por edhe nëse humb këtu, nuk është fundi i botës, pasi humbja është pjesë e sportit. I fortë është ai që i bën ballë humbjes në fund të fundit”, tha Ismail Keta.
Gjetan “Mike” Keta është boksier profesionist që nga viti 2007, ndërsa për të, kjo është sfida e 21 në karrierë. Deri tani, ai ka regjistruar 17 fitore, 14 me KO dhe 3 humbje, 2 me KO. Ai ka regjistruar fitore në pesë ndeshjet e fundit të tij, ku ajo e korrikut ndaj gjeorgjianit Mikheil Khutsishvili i dha brezin e kampionit euro-aziatik të peshave të mesme në WBC.
[callout]Kundërshtari
Marat Khuzev: Dua fitore, për të synuar më pas edhe titullin botëror
Kundërshtari i Gjetan Ketës, rusi 33-vjeçar, Marat Khuzev, duket se ëndërron që nëpërmjet sfidës që zhvillohet sot në Bulqizë, të sigurojë një biletë për titullin kampion bote në WBC. Pas mbërritjes së tij në vendin tonë, Khuzev deklaroi se ishte gati për këtë sfidë dhe se e kishte studiuar mjaft mirë kundërshtarin që do të kishte përballë, ndonëse vetëm nëpërmjet internetit.
“I kam ndjekur në internet përballjet e tij. Ai është një rival i denjë dhe shumë i aftë në ring. Parashikoj një sfidë shumë të vështirë, për faktin se do të ndeshem në Shqipëri. Tani dua të mendoj vetëm për këtë ndeshje dhe më pas do të planifikoj nëse mund ta kërkoj titullin botëror në këtë kategori”, tha ai pas mbërritjes në Shqipëri.
Khuzev është boksier profesionist që nga viti 2002, duke zhvilluar deri tani 30 ndeshje në karrierën e tij. Bilanci i tij është 21 fitore (9 me KO), 8 humbje (4 me KO) dhe 1 barazim. Momenti më i suksesshëm i karrierës së tij ishte në qershorin e vitit 2004, kur për disa muaj mbajti brezin ndërkontinental të World Boxing Federation. Ndeshja e tij e fundit ka qenë ajo ndaj bashkëkombësit Aleksander Oganian, të cilin e mundi me KO në raundin e dytë.[/callout]