Ish-mbrojtësi i Kombëtares shqiptare, Ervin Fakaj, e sheh ndeshjen ndaj Serbisë si një sfidë vendimtare për fatin e kuqezinjve në kualifikueset e Botërorit 2026.

Sipas tij, në këtë duel nuk ka vend për gabime dhe vetëm fitorja mund ta mbajë Shqipërinë në garë për një biletë drejt Kupës së Botës.

“Vetëm fitorja në çon në shinat e vendit të dytë, duhet patjetër të luajmë për gjithçka ose asgjë. Është ndeshje e vështirë, duhet trajtuar si finale, por nga ana tjetër duhet lënë mënjanë ana emocionale.

Nuk është ajo situatë si para disa vitesh, sot situata është komplet më e qetë, në një stadium të vogël, numër të caktuar shikuesish dhe besoj se futbolli do luhet. Edhe diçka tjetër, që mendoj se nga ana teknike, Serbia mund të jetë një nga skuadrat më të dobëta të dekadës së fundit.

Kanë hequr stres duke e çuar ndeshjen nga Beogradi. Atje në Beograd është e vështirë të kontrollohej, në këtë qytet të vogël, është me forca të shumta.

Uzuni në formacion? Surprizë e madhe nuk është se ka bërë rotacion i kushtëzuar nga forma e ndeshjeve të fundit të Bajramit, i cili për hir të së vërtetës nuk është në formën e Europanit, u bë disa ndeshje që nuk është në maksimum.

Uzuni ka qenë gjithmonë alternativë, por për hir të së vërtetës, asnjëherë niveli që në klub dhe me kombëtaren nuk ka qenë i njëjtë. Shpresoj dhe uroj të jetë dita e Uzunit, se mendoj që ai djalë ka pasur një ngërç psikologjik. Unë besoj se Uzuni do ketë më shumë detyra mbrojtëse se Broja në krahun tjetër. Ai është si tip sakrifice, Broja është më pak.

Për Brojën ky është momenti më i vështirë, në aspektin fizik e çdo gjë tjetër. Ai ka kaluar disa dëmtime të njëpasnjëshme që e kanë lënë për një periudhë të gjatë pa luajtur. Plus fakti që në dy ekipet e fundit ka luajtur shumë pak, edhe këtu ku ka ardhur i ka minutat e numëruara, tha Fakaj për DigitAlb para ndeshjes.