Nuk shpëton asnjë, por Osmani e Hysa ndëshkohen me 45% të kontratës dhe 3 muaj pezullim


Altin Manallari


Pasojat e tri orëve mbledhje të ditës së hënë janë ndjerë vetëm 24 orë më vonë, të martën, kur edhe janë zbuluar masat e ashpra ndëshkimore që drejtuesit e klubit Vllaznia kanë marrë për të gjithë futbollistët pa përjashtim. Pikërisht këta të fundit janë evidentuar si fajtorët e ecurisë jo të mirë të kuqebluve në këtë fazë të parë të Kategorisë Superiore dhe të atij eliminimi të hidhur nga Kupa e Shqipërisë. Kështu, dy lojtarët që janë bërë shembull nga dora e rëndë e stafit drejtues me në krye kryebashkiakun e Shkodrës, Lorenc Luka, janë mbrojtësi korçar Tefik Osmani (i cili iu bashkua kuqebluve në fillim të sezonit me kërkesë të trajnerit Duro) dhe sulmuesi Vilfor Hysa. Për të dy është marrë e njëjta masë ndëshkimore: Janë gjobitur me 45 për qind të shumës totale të kontratës, që kanë nënshkruar me Vllazninë dhe pezullohen për të mos qenë pjesë e ekipit të parë për 3 muaj, as në stërvitje. Por kjo nuk do të thotë se do të mund të qëndrojnë pushim, pasi në vendimin e marrë është përcaktuar qartë se ata gjatë kësaj kohe do të duhet të stërviten në urdhrat e trajnerit Astrit Premçi së bashku me të rinjtë e Vllaznia U-19. Më i lehtë ka qenë ndëshkimi për dy futbollistët e tjerë, kosovarin Ilir Nallbani dhe vlonjatin Halim Begaj, që nuk janë pezulluar, por janë gjobitur vetëm me 35% të vlerës së kontratës së tyre. Por nuk ia ka hedhur dot pa u lagur as pjesa tjetër e skuadrës, pasi të gjithë lojtarët e ekipit të parë janë  gjobitur me një rroge e gjysmë mujore. Vendimmarrja e plotë e klubit shkodran, e bërë publike në formën e një vendimi ekzekutiv, së bashku me qasjen ligjore kontraktuale. Gjithçka ka “vulën” e administratorit Fatos Gjyrezi, i cili i referohet raportit përkatës të bërë nga drejtori sportiv, Armir Grima. Për këto masa, drejtuesit janë mbështetur në kapitullin IX të statutit të klubit: Masat disiplinore dhe sanksionet, pikat b) dhe d) të kontratave individuale që futbollistët kanë me KF Vllaznia sh.a., ku thuhet: “Në qoftë se lojtari shkel ndonjë nga detyrimet e tij të përcaktuara në këtë kontratë ose nuk përmbush objektivat e vendosura rast pas rasti nga klubi, ndaj tij mund të aplikohen penalitete të mëposhtme, krahas të gjitha gjobave dhe sanksioneve të parashikuara në rregulloret e klubit. b) Gjobë 10-50% të vlerës së kontratës. d) Pezullim të përkohshëm nga stërvitjet apo veprimtaritë e tjera të organizuara apo të zhvilluara nga klubi. Sikurse ka bërë të ditur komunikata e djeshme e klubit shkodran, në pikën e fundit të saj paralajmërohet edhe një ndëshkim i mundshëm i stafit teknik, por një gjë e tillë është lënë për një vendimmarrje të mëvonshme.


 


 


Objektivat


Ridimensionohet Flamurtari,synon vendin e dytë dhe Kupën


Me 14 pikë diferencë nga vendi parë i mbajtur nga Skënderbeu, duket se Flamurtari ka vendosur zyrtarisht dhe heqë dorë nga titulli kampion, duke i ridimensionuar kështu objektivat e tij. Pas largimit të trajneri spanjoll, Hulian Rubio Sançez, drejtuesit e klubit kanë zhvilluar dje një takim me grupin e futbollistëve, të cilëve u kanë bërë të ditur edhe objektivat e reja sezonale: vendi i dytë në Kategorinë Superiore (që nënkupton një vend të garantuar në Kupat e Europës) dhe finalen e Kupës së Shqipërisë. Lojtarëve u është kërkuar që të impenjohen maksimalisht për realizimin e këtyre objektivave. Ndërkohë që ende mbetet enigmë emri i trajnerit që do të zërë vendin e Rubios. Për momentin, kandidatët favoritë janë dy ish-trajnerët e vlonjatëve, Gugash Magani dhe Ardit Behari