Ndeshja Shqipëri- Serbi e luajtur në stadiumin “Air Albania” më 7 qershor duket se nuk ka kaluar pa ndëshkim për federatën tonë të futbollit.

Federata Shqiptare është dënuar me një gjobë prej 161.500 franga zvicerane (173 mijë euro) dhe mbylljen e 20% të stadiumit për ndeshjen e ardhshme, për shkak të sjelljeve të konsideruara të papërshtatshme të tifozëve, nga ana e FIFA-s. Në një njoftim, FSHF thekson se sjelljet për të cilat ekipi kombëtar është dënuar janë këndimi i këngëve me përmbajtje diskriminuese, hedhje objektesh, ndezje fishekzjarrësh, përdorimi i gjesteve apo mesazheve të papërshtatshme për një ngjarje sportive, si dhe ndërprerje gjatë himneve kombëtare.

Kjo nuk është hera e parë që FSHF merr gjoba të majme për sjellen e tifozëve të Kombëtares, ndërsa edhe kundër Serbisë në Tiranë, 20% e stadiumit ishte e mbushur me tifozë të përzgjedhur për shkak të një dënimi që ishte në fuqi.

Reagimi i FSHF:

Federata Shqiptare e Futbollit është njoftuar zyrtarisht nga FIFA për një vendim disiplinor pas ndeshjes Shqipëri–Serbi, e zhvilluar më 7 qershor 2025 në stadiumin “Air Albania”.

Sipas vendimit, FSHF dënohet me një gjobë prej 161,500 franga zvicerane dhe detyrimin që ndeshja e radhës në shtëpi ndaj Letonisë të luhet me të paktën 20% të kapacitetit të stadiumit të mbyllur për publikun, për shkak të sjelljeve të përsëritura të papërshtatshme dhe diskriminuese të një pjese të tifozëve shqiptarë (këngë me përmbajtje diskriminuese, hedhje objektesh, ndezje fishekzjarrësh, përdorimi i gjesteve apo mesazheve të papërshtatshme për një ngjarje sportive, si dhe ndërprerje gjatë himneve kombëtare).

Ky vendim është një penalizim serioz për gjithë komunitetin futbollistik dhe dëmton jo vetëm Federatën, por mbi të gjitha Kombëtaren. FSHF u bën thirrje të gjithë tifozëve të Kombëtares që të shmangin çdo veprim që mund të dëmtojë skuadrën tonë, të respektojnë rregullat ndërkombëtare dhe të kontribuojnë për një atmosferë dinjitoze në mbështetje të Shqipërisë.