Një proces gjyqësor që po zhvillohet në Zvicër ndaj ish-pilotit australian Joey Mawson ka nxjerrë në dritë detaje të reja mbi kushtet e kujdesit që merr legjenda e Formula 1, Michael Schumacher.
Mawson, 30 vjeç, po përballet me akuza për përdhunimin e një infermiereje në rezidencën e familjes Schumacher në Gland të Zvicrës në vitin 2019. Ai i ka mohuar akuzat dhe ka deklaruar se marrëdhënia ka qenë konsensuale, shkruan The Sun.
Gjatë seancës gjyqësore, avokati i gruas që ka ngritur akuzat foli edhe për natyrën e punës së saj në shtëpinë e shtatë herë kampionit të botës në Formula 1. Sipas tij, kujdesi ndaj Schumacher është një detyrë jashtëzakonisht e vështirë si fizikisht ashtu edhe emocionalisht.
“Është një punë tepër kërkuese. Përveç kësaj, ekziston edhe kultura e heshtjes që rrethon familjen, gjë që ushtron presion të madh mbi punonjësit”, deklaroi ai para gjykatës.
Schumacher vazhdon të jetojë larg syrit të publikut që prej aksidentit të rëndë me ski në fund të vitit 2013, ndërsa familja e tij ka ruajtur gjithmonë privatësinë mbi gjendjen shëndetësore të ish-pilotit gjerman.
Sipas dëshmisë së avokatit, infermierja kishte marrë përsipër disa nga detyrat më të vështira në ekipin e kujdesit dhe konsiderohej një punonjëse model nga vetë familja Schumacher.
Ngjarja për të cilën akuzohet Mawson dyshohet të ketë ndodhur më 23 nëntor 2019, ndërsa vendimi i gjykatës pritet të shpallet të premten.
Rasti ka tërhequr vëmendje të madhe mediatike, jo vetëm për shkak të akuzave, por edhe sepse përfshin personel që ka qenë pjesë e rrethit të ngushtë të kujdesit të Michael Schumacher.
Top Channel
