Një episod i pazakontë ka tërhequr vëmendjen gjatë ndeshjes hapëse të Kupës së Botës 2026 mes Meksikës dhe Afrikës së Jugut, e zhvilluar në stadiumin “Azteca”.
Gjyqtari brazilian Wilton Sampaio u përball me vështirësi gjatë komunikimit të një vendimi pas ndërhyrjes së sistemit VAR në minutën e 84-t. Pas rishikimit të një faulli që çoi në përjashtimin e lojtarit Themba Zwane, arbitri mori mikrofonin për t’ua shpjeguar vendimin lojtarëve dhe rreth 80 mijë tifozëve në stadium.
Megjithatë, Sampaio hasi vështirësi në shpjegimin e vendimit në anglisht, duke u ngatërruar në fjalë dhe duke folur me një theks dhe formulim që u kuptua me vështirësi nga të pranishmit. Pamjet e lojtarëve të Afrikës së Jugut, të cilët dukeshin të hutuar gjatë komunikimit, janë shpërndarë gjerësisht në rrjetet sociale.
Vendimi u bë i qartë vetëm pas nxjerrjes së kartonit të kuq ndaj Zwane, i cili ishte përjashtimi i dytë për Afrikën e Jugut në këtë ndeshje, pasi më herët ishte ndëshkuar edhe Sithole. Më vonë, edhe mbrojtësi meksikan César Montes u ndëshkua me karton të kuq.
Sfida hyri në histori si një nga ndeshjet më të “nxehta” hapëse të Botërorit, me tre kartonë të kuq të akorduar gjatë 90 minutave.
