Emocione të mëdha të ditës së parë i paraprijnë një Euro 2012 shumë premtues
Emocione të jashtëzakonshme në ditën e parë. Greqia i prish festën Polonisë dhe Euro 2012 fillon me një barazim 1-1. Ndërsa Rusia e ka seriozisht, pasi në ndeshjen e parë mposhti 4-1 Republikën Çeke.
Ndeshja inauguruese Poloni-Greqi përfundoi 1-1: Salpingidis i përgjigjet Levandovskit. Karagunis humbet një 11 m
Pas një ceremonie simbolike për startin e Europianit 2012 në Poloni dhe Ukrainë në stadiumin e Varshavës, ndeshja inauguruese ka dhuruar emocione të forta. Ndoshta sepse Polonia e Greqia nuk janë dy skuadra të pasura me kualitete, por, sipas mënyrës së tyre, kanë argëtuar spektatorët. Takimi përfundoi 1-1, por rezultati në vetvete nuk thotë asgjë: për më tepër, nëse europiani do të duhet të vazhdojë në këtë linjë, nuk do të mërzitemi me siguri. Ndeshja inauguruese ka befasuar për sa u përket surprizave: të zotët e shtëpisë, për shumë kohë 11 kundër 10, po shijonin festën dhe në fund thuajse ndihen të kënaqur për barazimin. Topi i fatit ishte në këmbën e Karagunis, që ishte edhe i mrekullueshmi i 2004-s helenike (atëherë shënoi golin momental 1-0 në debutimin me Portugalinë), këtë herë humbi penalltinë e fitores së mundshme. Piszczek, Blaszczykovski e Levandovski (kanë fituar dy tituj me Borusia Dortmund në Bundesliga) ishin njerëzit më të shumëpritur të Polonisë dhe duket që në fillim se do të bënin diferencën. Dhe pas një shtylle, në minutën e 17 Levandovski kthen në gol një kros të pakapshëm të Blaszczykovski. Polonia humb edhe një rast të mirë me Perquis. Gjyqtari Velasko gabon rëndë me largimin me karton të kuq të Papastathopulos pas dy kartonëve të verdhë. Duket si një goditje përfundimtare për një skuadër si Greqia. E ngadaltë, e paaftë të ndërtojë një aksion të vetëm në pjesën e parë. Por mjafton një lëvizje për t’i ndryshuar kahun ndeshjes. Trajneri Fernando Santos zëvendëson himarjotin Nini me Salpingidis dhe ndeshja ndryshon. Sigurisht, edhe Szczesny bën të tijën duke gabuar në dalje, por i sapofuturi në lojë devijon si falkua krosin e Torosidis drejt rrjetës. Greqia është një tjetër skuadër në pjesën e dytë, humbet një rast me Samaras. Edhe një herë Salpingidis niset në kufijtë e pozicionit jashtë loje dhe sërish Szczesny bën gafën e radhës. Penallti dhe karton i kuq. Por Karagunis gabon. Polonia duartroket heroin Tyton, që priti penalltinë, dhe më në fund merr frymë lirisht.
Një dopjetë e Dzagoev, Shirokov e Pavliuçenko në fitoren 4-1 ndaj Rep. Çeke e çojnë Rusinë në krye të Grupit A
Një ndeshje e bukur është luajtur edhe në stadiumin tjetër, ku përballë ishin Rusia kundër Republikës Çeke. Skuadra e drejtuar nga trajneri Dik Advokatit ka konfirmuar progreset e bëra gjatë kohëve të fundit me një pjesë të parë të jashtëzakonshme. Në fakt Republika Çeke e ka nisur shumë mirë takimin, duke u bërë e zonja e fushës në 15 minutat e para, por më pas gjithçka ka ndryshuar 180 gradë. Rusia është zgjuar nga gjumi dhe ka qenë shkatërrimtare në kundërsulm, duke u dhënë një kundërgoditje kundërshtarëve falë golit të avantazhit në minutën e 15, ku Dzagoev çoi në rrjetë një top të kthyer nga shtylla pas goditjes me kokë të Kerzhakov. Ndërsa në minutën e 24-t është Shirokov ai që i shpëton mbrojtjes kundërshtare dhe shënon edhe golin e dytë. Çekët e vuajnë shumë disavantazhin e shpejtë të golave dhe nuk arrijnë më të marrin topin nën kontroll. Por pjesa e dytë nis ndryshe. Janë çekët më kërkues dhe e gjejnë në minutën e 52 golin e 2-1 me Pilar, duke rihapur ndeshjen. Rusët rimarrin frenat e lojës dhe humbasin disa mundësi të arta me Kerzhakov. Por nuk bën të njëjtën gjë Dzagoev, i cili në minutën e 79 mposhti portierin Çeh me të djathtën. Tre minuta më vonë është Pavliuçenko që vulos fitoren 4-1 të rusëve. Një triumf i merituar për skuadrën e Advokat, që merr kështu kreun e Grupit A, ndërsa Republika Çeke, që të mbajë gjallë shpresat e saj, do të duhet të fitojë ndeshjen e dytë, të cilën e luan pikërisht kundër të zonjës së shtëpisë, Polonisë.