Lorik Cana është në tratativa për të kaluar te Hamburgu. Lajmi është bërë i ditur dje nga mediat gjermane, sipas të cilave klubi i Bundeligës po planifikon rindërtimin e skuadrës dhe mbi të gjitha, përforcimin e mbrojtjes, ku shpeshherë në këtë sezon ka shfaqur paqëndrueshmëri. Drejtori sportiv, Frank Arnesen, prej kohësh po merret me zbatimin e këtij plani ku në krye të listës së lojtarëve të preferuar qëndron pikërisht ylli shqiptar i Lacios, Lorik Cana. Kapiteni i kombëtares së Shqipërisë mund të luajë si mbrojtës qendre, por edhe si mesfushor shkatërrues para mbrojtjes, por gjithsesi Hamburgu e planifikon si një përforcim të domosdoshëm për mbrojtjen. Cana nuk është një lojtar i panjohur për këtë klub. Në 2009-n, ai ishte shumë pranë kalimit te Hamburgu. Në atë kohë, marrëveshja dështoi dhe Cana u transferua nga Marseja (ku ishte kapiten) tek Sanderlendi. Që në verën e 2011-s, ai luan për Lacion. Ditët e fundit, Hamburgu ka pasur kontakte me 29-vjeçarin dhe babain-menaxher të tij, Agim Cana. Gjatë ndeshjes së Europa League të Lacios në Shtutgart, Cana është vëzhguar nga drejtuesit e Hamburgut. Kostoja e transferimit të tij mund të kapë shifrën 2.8 milionë euro. Sipas mediave gjermane, Cana ka shprehur dëshirën për t’u transferuar sa më shpejt në Gjermani.
