Harry Kane po përjeton një nga sezonet më të mira të karrierës së tij dhe vazhdon të shkruajë historinë me fanellën e Bayern Munich në Gjermani. Sulmuesi anglez ka thyer një rekord 15-vjeçar të Arjen Robben, duke u bërë lojtari më i shpejtë në historinë e klubit bavarez që arrin 100 kontribute për gola në Bundesligë.

Bayern Munich mbetet edhe këtë sezon pretendenti kryesor për titullin kampion në Gjermani, duke krijuar një distancë të konsiderueshme nga rivalët si Leipzig dhe Borussia Dortmund. Në qendër të suksesit të skuadrës qëndron sërish Kane, i cili po udhëheq sulmin me shifra mbresëlënëse.

Në 25 paraqitjet e këtij sezoni në të gjitha kompeticionet, Kane ka realizuar 30 gola dhe ka dhuruar 3 asistime, me një mesatare prej rreth 1.2 golash për ndeshje. Rekordi historik u arrit në sfidën e fundit kundër Heidenheim, ku anglezi kaloi kuotën e 100 kontributeve për gola në kampionatin gjerman.

Në total, Kane numëron 81 gola dhe 22 asistime në Bundesligë, duke i arritur këto shifra në vetëm 78 ndeshje. Një arritje që lë pas Arjen Robben, i cili kishte nevojë për 119 paraqitje për të prekur të njëjtin objektiv.