Gara e parë e Kampionatit Kombëtar të Hipizmit në disiplinën “Jumping” ka marrë jetë dhe mes 12 kalorësve pjesëmarrës ka nxjerrë edhe dy fituesit e saj të parë. Për meshkuj, fitoi Oliver Garries, (gjerman me nënshtetësi shqiptare) me kalin Cash në disiplinën “Jumping” 1.40 metra me kohën 53 sekonda. Fituesja në disiplinën femra është kalorësja Ema Qahjai, e cila doli e para në kapërcimin e fuqisë në lartësi 1.60, me 57 sekonda nën drejtimin e kalit Skot. Të dy kalorësit fitues ishin nga Akademia e Hipizmit. Por në këtë fazë të parë të kampionatit morën pjesë klubet Akademia e Hipizmit, Panto, Vllaznia, Bilali Klub etj. Më 12 maj do të zhvillohet edhe gara e dytë e kampionatit në Divjakë. Presidenti i Federatës Shqiptare të Hipizmit, Klodian Alibeaj, ka zbuluar dje lajmin sensacional, që Shqipëria për herë të parë në historinë e saj do të mund të marrë pjesë në një aktivitet ndërkombëtar, siç janë Lojërat Mesdhetare, ku Shqipëria për momentin do të përfaqësohet pikërisht nga Oliver Garries, gjermani me nënshtetësi shqiptare.