Një histori tragjike dhe tronditëse vjen nga Gana, ku është vrarë portieri 18-vjeçar Cheikh Toure, i rritur në akademinë senegaleze “Esprit Foot”. I riu ishte nisur drejt Ganës me bindjen se do të merrte pjesë në një provë për një klub futbolli, por udhëtimi i ëndrrave u shndërrua në një makth fatal. Pas mbërritjes, ai ra pre e një bande mashtruesish që e kishin joshur me premtime për një të ardhme në futbollin profesionist, por në fakt synonin ta rrëmbenin për përfitime financiare.
Sipas autoriteteve senegaleze, rrëmbyesit kërkuan nga familja e Toure rreth 1300 euro për ta liruar. Nëna e tij, që bëri përpjekje të dëshpëruara për të mbledhur shumën, nuk ia doli. Pak ditë më vonë, ajo mori një video të tmerrshme ku shfaqej djali i saj i vrarë dhe i torturuar.
Ngjarja ka shkaktuar tronditje të madhe në Senegal. Ministri i Jashtëm konfirmoi vdekjen dhe njoftoi se janë ndërmarrë hapa për të sjellë trupin e Cheikh Toure në atdhe. Ai u nis për të ndjekur ëndrrën e tij si futbollist, por në vend të një shansi për karrierë, ra viktimë e një mashtrimi mizor që i mori jetën.