Jannik Sinner është fituesi i ‘Wimbledon’ për vitin 2025.
Numri një i botës fitoi me përmbysje 3-1 (4-6, 6-4, 6-4, 6-4) me sete, kundër Carlos Alcaraz, duke ulur nga froni spanjollin i cili ka fituar dy herë këtë trofe dhe mban vendin 2 në botë. Veç fitores, Sinner shkëputet në krye të renditjes dhe fiton pikë të rëndësishme; duke u hakmarrë kështu për humbjen në ‘Roland Garos’ 35 ditë më parë.
Alcaraz vinte me petkun e fituesit në fuqi për dy edicionet e fundit të turneut ‘Grand Slam’ dhe mori setin e parë me shifrat 6-4. Por Sinner nisi shërbimet e tij të jashtëzakonshme duke vënë në vështirësi të vazhdueshme spanjollin në setet e mëtejshme, teksa e detyroi atë të gabonte me përgjigjet në rrjetë apo jashtë.
Me lojë të mirë dhe pikë të njëpasnjëshme, Sinner përmbysi gjithçka në 3-1 duke u bërë italiani i parë që fiton ‘Wimbledon’. Ky ishte turneu i katërt ‘Grand Slam’ në karrierën e Sinner, pas dy triumfeve në ‘Australian Open’ dhe një në ‘US Open’.

