
Skënderbeu dhe qyteti i Korçës humbën një nga legjendat e sportit, Milutin Kërçiç. 63-vjeçari mbylli sytë përgjithmonë më 7 shkurt, pas një beteje të gjatë me një sëmundje të rënde.
Kërçiç ka lënë shenjën e tij në vitet ’70-’80 me skuadrën e Skënderbeut, ndërsa ka qenë pjesë e këtij ekipi si zëvendestrajner dhe nga viti 2010 deri në 2013 me trajnerët Shpëtim Duro dhe Stanislav Levi.
Ditën e sotme në emisionin “Shqipëria Live”, foli për Milutin, Jani Kaçi, ish-portier që ka luajtur me legjendën. Teksa shprehu ngushëllimet e sinqerta për familjarët dhe sportdashësit, Kaçi tha se Milutin duhet të nderohet me çmim të veçantë.

“Mili të nderohet me çmim të veçantë, qoftë nga qyteti por edhe nga presidenti. Ai ka qenë talent i rrallë, por i paidentifikuar”, tha ish-portieri.
Ky i fundit zbuloi se Kërçiç e njeh që në moshë të vogël, dhe se gjithmonë ka qenë i talentuar.
“Milutin e kam njohur në shtëpinë time. Duke luajtur tregonte talentin e tij, e pas disa vitesh u inkuadrua te Skënderbeu. Ai ishte i talentuar nga koka te këmbët. Siç kishte mendjen, kishte edhe trupin. Ai luante jo vetëm futboll, por edhe sporte të tjera”, tha Kaçi.