Bylisi nuk ka marrë asnjë fitore në 3 ndeshjet e para të sezonit. Pas humbjes kundër Egnatias, foli edhe trajneri Mirel Josa.
“Nuk është problemi i tre javëve pa një fitore, por te shprehja e lojës, ky është problemi. Nuk u shprehëm siç duhet, lamë Egnatian të qarkullojë topin shumë lart. Domosdo nëse qarkullohet topi, nuk duhet të kishte presion lart te ekipi i Egnatias dhe kjo ndodhi, si te penalltia, edhe pse në pjesën e dytë mënyra se si zgjodhëm veprimet tona, nuk ishte ajo që duhej. Nuk janë shumë pikë barazimet, se një fitore të ngre dhe themi që nuk diskutoj pozitat e ekipit tani, por në krahasim me dy ndeshjet e tjera, që patëm mundësi të shprehemi më shumë në lojën sulmuese tonën, në zonën kundërshtare. Në ndeshjet e tjera kemi pasur paraqitje shumë pozitive sa i përket pjesës sulmuese tonën, që sot nuk e bëmë”.
Josa vijoi: “Nuk mund të them për diferenca në cilësi, të mos harrojmë se edhe Flamurtari ka cilësi dhe u shprehëm ndryshe. Ndaj them që prisja diçka më tepër sa i përket fitimit të topit dhe kalimit para. Shumë pak e bëmë në pjesën e parë, në momentin që Egnatia kishte një hapje të saj sa i përket qarkullimit të topit. Kur ta fitonim topin, duhej të vertikalizonim te sulmuesi kryesor, ndaj zëvendësova Ualison sa i përket vertikalizimeve të tij me Mustafa. Duhej të kishim reagim shumë më të mirë, sidomos kur ishim në gjysmëfushën e Egnatias, por problemet që kishim, mos harro që u bënë të dy zëvendësimet, një lojtar hyri për herë të parë në skuadër, bëmë ndryshimw në mesfushë që të freskohej reparti. Unë duhet të kem pretendimet e mia sa i përket atyre që hedh në lojë, ata duhet të jenë të impenjuar për të bërë diçka më tepër se lojtarët që ishin në fushë”, deklaroi ai.