Hungaria merr një fitore të rëndësishme në transfertën ndaj Gjeorgjisë, duke triumfuar me rezultatin 2-0 dhe duke marrë kryesimin e Grupit B2 në Ligën e Kombeve.

Pjesa e parë e takimit u mbyll pa gola, me të dyja skuadrat që nuk arritën të gjenin rrugën e rrjetës. Gjithçka u vendos në 45 minutat e dyta, ku hungarezët arritën të konkretizonin epërsinë e tyre.

Në minutën e 73-të, një autogol i Lasha Dvalit zhbllokoi rezultatin dhe i dha avantazhin 1-0 Hungarisë. Vendasit tentuan të reagonin, por pa arritur të shmangnin humbjen.

Vetëm pesë minuta përpara përfundimit të kohës së rregullt, Varga realizoi golin e dytë, duke vulosur fitoren 2-0 të miqve.

Me këtë sukses, Hungaria shkon në kuotën e 10 pikëve dhe ngjitet në vendin e parë të Grupit B2, ndërsa Gjeorgjia mbetet me vetëm 2 pikë pas pesë ndeshjeve të zhvilluara.