Jahmir Hyka rigjen golin në Major League Soccer duke i dhënë një sinjal trajnerit të kombëtares shqiptare Christian Panucci se është gati për sfidat e muajt shtator ndaj Izraelit dhe Skocisë në Ligën e Kombeve.


Dallas vazhdon të mbetet preja e preferuar e shtatshkurtrit shqiptar i cili që nga mbrritja e tij në tokën e premtuar i ka realizuar 3 herë në 3 sfida të ndryshme skuadrës teksane. Hyka luajti një rol shumë të rëndësishëm në suksesin 1-3 të San Jose Earthquakes në fushën e Dallas.



Në sekondat e para të pjesës së dytë kur rezultati ishte i mbërthyer në barazim 1-1, Hyka kontrolloi në mënyrë perfekte një top të marrë nga Godoy dhe me një goditje të shpejtë dhe të zgjuar nga brenda zonës mposhti portierin kundërshtar, duke kaluar në epërsi skuadrën kaliforniane dhe duke gjetur golin e dytë sezonal.


Hyka festoi me simbolin e shqiponjës duke i dhënë një sinjal trajnerit të kombëtares Panucci është gati dhe shumë në formë për dy sfidat e radhës të kuqezinjëve. 30-vjeçari kryeqytetas u zëvendësua në minutën e 63-të, ndërkohë që San Jose Earthquakes me këtë fitore mori pak oksigjen por vazhdon të mbetet në vendin e fundit të konferencës së Perëndimit me vetëm 16 pikë të grumbulluara dhe shumë larg zonës play-off.


5 gusht 2018 (gazeta-Shqip.com)