Hysaj PogbaMbrojtësi shqiptar kthehet në një nga objektivat kryesorë të merkatos së Çelsit


Vlera – Napoli bleu Hysajn nga Empoli për 5 milionë euro në verën e vitit 2015. Sipas faqeve të specializuara të merkatos, vlera e tij aktuale arrin 9 milionë euro, ndërsa pritet të rritet edhe më shumë deri në përfundim të sezonit dhe sidomos pasi ai të luajë në Euro 2016 me kombëtaren shqiptare.


Ermal Kuka


Vera e vitit 2016 nuk do të jetë si të gjitha të tjerat për Elseid Hysajn. Mbrojtësi 22-vjeçar do të jetë protagonist në pjesëmarrjen e parë të kombëtares shqiptare në Euro 2016, ndërsa do t’i gëzohet edhe fëmijës së tij të parë, që do të vijë në jetë pas përfundimit të këtij aktiviteti. Por emocionet për të nuk mbarojnë këtu, pasi Hysaj pritet të kalojë një verë të nxehtë edhe falë zërave të merkatos, sepse lista e klubeve të interesuara për të vazhdon të rritet. I fundit në këtë listë është Çelsi, i cili e kishte monitoruar edhe një vit më parë lojtarin, kur ishte ende pjesë e Empolit, por që tashmë do ta kërkojë më me ngulm, për të plotësuar një nga dëshirat kryesore të merkatos të trajnerit të ri, Antonio Konte.


Sipas portaleve angleze që shkruajnë rregullisht për klubin londinez, Çelsi e shihte Hysajn si një mbrojtës të krahut të majtë në korrikun e vitit 2015, por përfundoi duke blerë Rahman Baba. Kjo i mundësoi Napolit që të siguronte futbollistin nga Empoli për vetëm 5 milionë euro. Asokohe, në drejtimin e bluve ishte Zhoze Murinjo, i cili kishte hyrë në merkato për mbrojtësin i nisur vetëm nga raportet që i kishin bërë vëzhguesit që Çelsi ka në kampionatin italian. Por këtë radhë, klubi nuk ka nevojë për vëzhgues, pasi ai që e kërkon me ngulm lojtarin është trajneri që do të marrë drejtimin në verë, Antonio Konte, i cili njeh shumë mirë kampionatin italian dhe protagonistët e tij.


Duke parë shpërthimin e Hysajt në radhët e Napolit, Konte është bindur se ai do të ishte lojtari perfekt për skemën e tij të zakonshme 3-5-2, apo edhe për atë 4-4-2, ndërsa përbën një bonus fakti se 22-vjeçari është ndër lojtarët e rrallë që mund të luajë në të dy krahët e fushës. Gjithsesi, ideja e tij është që Hysaj të vazhdojë të luajë në krahun e djathtë, ku ka qenë i pakalueshëm nga kundërshtarët, pavarësisht emrave që ka pasur përballë në kampionatin italian apo në arenën ndërkombëtare.


Kontrata që ai ka nënshkruar deri në vitin 2020 me Napolin nuk do të jetë pengesë. Edhe pse klubi dëshiron të mbajë futbollistin për të paktën edhe një sezon dhe i ka propozuar atij rinovimin dhe përmirësimin e kushteve financiare, presidenti Aurelio De Laurentis nuk u ka thënë asnjëherë “jo” ofertave të çmendura që i kanë ardhur nga klube të tjera. Duke menduar që vlera e Hysajt do të vijë në rritje sa më shumë që ai aktivizohet te Napoli, klubi londinez është gati të paguajë që tani rreth 20 milionë euro për kartonin e tij. Kjo shumë, vështirë se do të refuzohej nga Napoli, i cili do të fitonte 15 milionë euro brenda vitit, shifër më se e mjaftueshme për të kërkuar një zëvendësues cilësor për futbollistin e kombëtares shqiptare.


Gjithsesi, Çelsi nuk është ekipi i vetëm që do të hedhë sytë nga Hysaj. Gjatë Euro 2016, ai do të monitorohet edhe nga Bajern Mynih, Atletiko Madrid dhe Bajer Leverkusen, të gjithë klube që janë interesuar në muajt e kaluar për të, kanë dërguar vëzhgues për ta parë në veprim dhe mund të vendosin të rivalizojnë seriozisht Çelsin për të siguruar shërbimet e mbrojtësit të kombëtares shqiptare.