Mbrojtësi shqiptar nuk fshihet: Me kombëtaren luaj më mirë!


Debutimi – Hysaj ka luajtur ndeshjen e tij të parë si profesionist me Empolin në Kupën e Italisë ndaj Fiorentinës në nëntorin e vitit 2011


Seria A – Mbrojtësi është aktivizuar në të 21 ndeshjet e luajtura në këtë kampionat nga Empoli, duke qenë titullar në 18 prej tyre


Kombëtarja – Që nga debutimi kuqezi në shkurt 2013, Hysaj ka arritur të koleksionojë 12 ndeshje me fanellën e kombëtares shqiptare


Elseid HysajElseid Hysaj nuk mund të cilësohet më një “zbulim”. Futbollisti që sot mbush 21 vjeç, prej 4 sezonesh është bërë pjesë e ekipit të parë të Empolit dhe paraqitjet e tij bindëse e kanë kthyer në një element të pazëvendësueshëm në radhët e kësaj skuadre. Protagonist absolut si në fazën mbrojtëse, ashtu edhe në atë ofensive, lojtari ka bindur të gjithë skeptikët dhe ka treguar se aktivizimi në kombëtare apo ofertat që i kishin ardhur gjatë verës nga klubet e mëdha nuk ishin rastësore. E megjithatë, ai është i sigurt se me klubin e tij nuk ka dhënë ende maksimumin, ashtu siç ka bërë me kombëtaren shqiptare ku ka fituar me forcë një vend mes titullarëve.


Paraqitja e tij e fundit në barazimin 1-1 ndaj Romës në Serinë A ishte e shkëlqyer. I rreshtuar në pozicionin e tij të preferuar, në krahun e djathtë të mbrojtjes, Hysaj jo vetëm ka qenë protagonist në ndalimin e iniciativave kundërshtare, por edhe në fazën ofensive, duke u bërë protagonist i aksionit falë të cilit u fitua penalltia që kaloi në avantazh Empolin. Ndonëse notat 6.5 dhe 7 që i vendosin javë pas jave mediat sportive italiane zakonisht u rezervohen lojtarëve të afirmuar, Hysaj është i bindur se ka ende punë për të bërë për të dhënë më të mirën, të cilën shpesh ka arritur ta tregojë me përfaqësuesen e Shqipërisë. “Po, është e vërtetë që me Shqipërinë luaj më mirë. Atje luaj gjithmonë në krahun e djathtë, pasi trajneri De Biazi më sheh më mirë në atë pozicion dhe më jep besim në anën që më përket, pasi luaj me këmbën e preferuar, të djathtën, ndihem më rehat dhe jap më shumë. Në krahun e majtë kam kaluar vështirësi, por tani gjërat ecin më mirë, luaj në krahun tim dhe po ndërgjegjësohem rreth nivelit të Serisë A, jam në fazë rritje dhe dua të jap gjithnjë e më shumë”, tha futbollisti shqiptar pas kësaj sfide.


Paraqitja e Hysajt kundër Romës ishte mbresëlënëse edhe për sa u përket statistikave. Mbrojtësi shqiptar e mbylli sfidën ndaj skuadrës që pretendon të fitojë titullin kampion në këtë sezon, si futbollisti që kishte realizuar më shumë pasime të sakta, 66 të tilla, duke lënë pas dy lojtarë të afirmuar të kryeqytetasve si Holebas dhe Pjaniç, respektivisht me 62 dhe 60 pasime të realizuara. Por futbollisti ka mbetur pak i zhgënjyer nga fakti se skuadra nuk arriti të merrte tri pikë më se të merituara pas një ndeshjeje të shkëlqyer. “Me gjyqtarët këtu në Romë jemi të pafat. Por ne jemi Empoli dhe duhet të ecim para me forcat tona, edhe me gjyqtarët që janë pak kundër nesh. Pas rezultatit 1-0 shpresonim te fitorja, sidomos për faktin se Roma mbeti me 10 lojtarë. Pas largimit me të kuq të Saponaras, u tërhoqëm shumë, edhe psikologjikisht. Por pas kësaj rënie, rifilluam të bënim lojën tonë”, tha lojtari i cili më pas zbuloi se cila ishte fryma me të cilën skuadra hynte në fushën e lojës, arsyeja pse po zhvillonte një kampionat të shkëlqyer. “Vrapojmë shumë, sepse është stili ynë i lojës, duhet të japim gjithçka në fushë, duhet të shtyjmë gjithmonë përpara. Kush nuk është në gjendje, ngre dorën lart dhe kërkon zëvendësim me shokun që vazhdon të vrapojë. Trajneri ishte i zemëruar pas barazimit, por edhe i lumtur, arritëm të marrim një pikë shumë të rëndësishme”, tha Hysaj.