Sipas raportimeve të mediave spanjolle, Gjykata Provinciale e Valencias ka dënuar futbollistin Rafa Mir me 8 vite e 6 muaj burg për akuza që lidhen me sulm seksual dhe lëndim personal.

Përveç dënimit me burg, gjykata ka vendosur edhe një ndalim 10-vjeçar që ai t’i afrohet viktimës në një distancë më të vogël se 500 metra, si dhe detyrimin për të paguar rreth 64,000 euro dëmshpërblim.

Sipas dosjes së çështjes, ngjarja dyshohet të ketë ndodhur më 1 shtator 2021, kur lojtari, atëkohë pjesë e Valencias, ka njohur një 21-vjeçare në një klub nate dhe më pas e ka ftuar në banesën e tij. Gjatë procesit gjyqësor, pala akuzuese ka deklaruar se marrëdhënia ka ndodhur pa pëlqim, ndërsa vetë futbollisti i ka mohuar akuzat, duke pretenduar se gjithçka ka qenë me konsensus.

Prokuroria kishte kërkuar një dënim më të lartë, rreth 10 vite e gjysmë burg. Sipas të njëjtave burime, vendimi pritet të apelohet nga mbrojtja e lojtarit.

Sa i përket karrierës së tij, Rafa Mir është formuar në akademitë e Barcelonës dhe Valencias, ka luajtur në Angli me Wolverhampton dhe më pas është aktivizuar në disa klube të La Ligës, përfshirë edhe Sevillan. Çështja mbetet ende e hapur ligjërisht për shkak të mundësisë së apelimit.