Volejbollistja braziliane Najara Ferreira, 32 vjeçe, është larguar nga kampionati shqiptar që prej muajit tetor, pasi disa klube ngritën dyshime lidhur me gjininë e saj.

Ferreira, e cila ishte pjesë e ekipit të Dinamos, nuk ka paraqitur ende analizat e kërkuara për verifikimin e gjinisë. Për pasojë, çështja mbetet ende e hapur në Federatën Shqiptare të Volejbollit, pa një reagim zyrtar as nga klubi dhe as nga sportistja.

Që nga momenti kur u ngritën dyshimet, volejbollistja nuk ka luajtur më me ekipin e vajzave të Dinamos dhe nuk është shfaqur në aktivitete zyrtare.

Ndërkohë, është bërë e ditur se sezoni i ardhshëm i kampionatit do të nisë me detyrimin për testim gjinor për çdo volejbolliste që regjistrohet për të garuar.