Boksieri shqiptar Kristian Prenga, është treguar i pamëshirshëm në ndeshjen e fundit në ‘Atlantic City’ të SHBA-së, duke mposhtur në më pak se 30 sekonda kundërshtarin amerikan, i cili kishte pritshmëri në këtë përballje.

Mjaftuan disa goditje tepër të forta në ije që Brandon Carmack të dorëzohej. Pasi e nisi vrullshëm amerikani mori mësime nga boksieri shqiptar, i cili e fitoi ndeshjen shumë më lehtë se sa pritej.

Me këtë triumf, Kristjan Prenga e rikonfirmoi veten si nga boksierët më të pamëshirshëm kur vjen puna te ‘nokauti’. Të 19 fitoret në karrierë Prenga i ka me ‘nokaut’.

Triumfi i tij ndezi dhe elektrizoi arenën e boksit Bally’s Atlantic City, ku shqiptarët e Amerikës e duartrokiten me krenari të madhe për bashkatdhetarin e tyre.

Fitorja e Prengës jo vetëm e rrit rekordin e tij personal, por edhe e forcon pozicionin e tij si një prej emrave më premtues të boksit shqiptar në arenën ndërkombëtare.