Paolo Maldini i thotë “Po” Italisë.
Ish-kapiteni legjendar i Milanit ka pranuar ofertën e presidentit të ri të FIGC-së, Giovanni Malagò, duke nisur një kapitull të ri në karrierën e tij pas largimit nga drejtimi i Milanit.
Së bashku me Maldinin do të punojë edhe ish-futbollisti brazilian Leonardo, i cili do të ketë rolin e këshilltarit të tij.
Në njoftimin zyrtar, FIGC bëri të ditur: “Presidenti i FIGC-së, Giovanni Malagò, ka kënaqësinë të njoftojë se Paolo Maldini ka pranuar postin e Drejtorit Teknik të Federatës. Paolo Maldini do ta ushtrojë këtë detyrë së bashku me Leonardon si këshilltar. Giovanni Malagò do t’i besojë gjithashtu Paolo Maldinit presidencën e Club Italia.”
Detyra e parë e Maldinit në postin e ri do të jetë përzgjedhja e trajnerit të ri të kombëtares italiane. Sipas mediave italiane, gara është ngushtuar mes Roberto Mancinit dhe Antonio Contes, me Mancinin që konsiderohet favorit për të marrë drejtimin e “Azzurrëve”.
Vendimi për trajnerin e ri pritet të bëhet publik brenda pak ditësh.
