Një futbollist gjysmëprofesionist në Angli është dënuar me katër vite burg, pasi u kap duke drejtuar automjetin në mënyrë tejet të rrezikshme dhe në një rast me shpejtësi që arrinte 307 km/orë.
Conor Charlton, 32 vjeç, pjesë e Nostell Miners Welfare FC, u filmua teksa kryente shkelje të rënda të rregullave të qarkullimit në disa raste gjatë viteve 2022 dhe 2023.
Në një prej videove, futbollisti shihet duke kaluar me shpejtësi në një rrethrrotullim, duke shmangur për pak një përplasje me një furgon. Në një tjetër regjistrim, ai drejtonte automjetin me 307 km/orë.
Hetimi ndaj Charlton zbuloi gjithashtu dyshime për përfshirje në një skemë mashtrimi, ku persona të tjerë merrnin përsipër përgjegjësinë për shkeljet rrugore të drejtuesve të makinave kundrejt pagesës.
Në total, 32-vjeçari u përball me 10 akuza për drejtim të rrezikshëm dhe katër akuza për pengim të drejtësisë. Charlton, baba i dy fëmijëve, u deklarua fajtor për të gjitha akuzat.
Gjykata e Kurorës e dënoi me katër vite burg. Përveç dënimit me heqje lirie, atij iu pezullua edhe e drejta për të drejtuar automjetin për një periudhë prej katër vitesh e shtatë muajsh.
