Shoqata Bashkimi i Arbitrave Shqiptarë (BASHF) ka reaguar në lidhje me dhunimin në dhomat e zhveshjes së arbitrit anësor Ergys Spahiu nga presidenti i Vllaznisë, Alban Xhaferi.

BASHF doli me një komunikatë zyrtare të publikuar në rrjetet socilare duke theksuar se dënon me forcë aktet e dhunës ndaj arbitrave të kësaj ndeshjeje.

DEKLARATA E PLOTË E SHOQATËS SË ARBITRAVE:

‘Shoqata Bashkimi i Arbitrave Shqiptarë të Futbollit dënon me forcë aktet e dhunës ndaj arbitrave të ndeshjes Elbasani–Vllaznia. Asnjë vendim i arbitrit, i drejtë apo i gabuar, nuk mund të justifikojë dhunën, kërcënimet apo presionin ndaj zyrtarëve të ndeshjes.

Shoqata Bashkimi i Arbitrave Shqiptarë të Futbollit shpreh solidaritetin dhe mbështetjen e plotë për trupën e arbitrimit, veçanërisht për asistentin dhe zyrtarët e ndeshjes të përfshirë në këtë incident. Dhuna nuk është pjesë e futbollit. Presioni nuk është pjesë e arbitrimit. Respekti për arbitrin është respekt për lojën.

Ngjarje të tilla ndikojnë në cilësinë e gjykimit, pasi vendosin nën presion trupën e arbitrimit. Shoqata po punon vazhdimisht për përmirësimin e performancës së arbitrave dhe ngjarje të tilla janë të papranueshme. Shoqata Bashkimi i Arbitrave Shqiptarë të Futbollit do të vazhdojë të mbrojë me vendosmëri integritetin, dinjitetin dhe sigurinë e çdo arbitri shqiptar, në çdo kategori dhe në çdo stadium’.