Himni kombëtar i Shqipërisë mezi dëgjohej si në televizion ashtu edhe në stadium mbrëmë para startit të ndeshjes me Poloninë. Ndërkohë, fishkëllimat e tifozëve polakë jehonin nga tribunat, duke u përpjekur të dekurajonin kundërshtarët e tyre. Po të njëjtën gjë bënë edhe kuqezinjtë në momentin që lojtarët polakë po këndonin.

Mediat polake raportuan se himnet nuk u dëgjuan në transmetim për shkak të një problemi të regjisë ndërkombëtare. Komentatori Mateusz Borek sugjeroi që orkestra që luante himnet ndoshta ishte e amplifikuar dobët.

“Thjesht nuk kishte muzikë të luajtur nga një kasetë ose një medium i veçantë. Le të shpresojmë që këto të jenë problemet e fundit teknike për polakët sonte. Le të shpresojmë që gjithçka të shkojë mirë në fushë”, deklaroi Borek mbrëmë para startit të sfidës.