Media italiane e thonë saktë. Ky Inter sikur ka humbur, dhe ajo që dukej e sigurt tashmë është vënë fort në diskutim.

Barazimi 1-1 në fushën e Fiorentinës bëri që zikaltërit të jenë tani më pranë rivalëve që po fitojnë.

Milani është 6 pikë larg, dhe Napoli 7 pikë, ndërsa në Apenine thuhet se trajnerët Alegri e Konte janë mjeshtra për t’ia dalë kur gara është tepër e fortë në fund.

Edhe pse milanezët kaluan shpejt në epërsi, Espozito shënoi që në minutën e parë, sërish vendasit luajtën më mirë.

Fiorentina barazoi relativisht vonë, në 77’, por “vjollcët” patën 13 gjuajtje ndaj 9 të miqve, edhe goditjet në kuadrat ishin të barabarta, nga katër.

Mungesa e kapitenit dhe sulmuesit kryesor, Lautaro Martinez, po ndihet fort, ashtu si edhe lodhja.

Trajneri Kivu zëvendësoi pas pushimit radhazi yjet Çalhanoglu, Barela, Turam e Damfris, por asgjë nuk bëri punë.

“Interi ka humbur, – shkruan “La Gazeta delo Sport”, – Kivu nuk di më që të fitojë. Milani dhe Napoli besojnë. Turam është kthyer në çështje!”

“Il Korriere delo Sport” përdor fjalën fiorentine, “il braçino”, që ka kuptimin se vendasit ia hodhën zikaltërve, që tashmë janë në ankth!

Interi vazhdon të kryesojë Serinë A me 69 pikë kur duhen edhe 8 javë deri në përfundim, Milani ka 63 e Napoli 62, ndërsa pas pushimit do të vijë direkt ndeshja e ashpër ndaj Romës.